E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, Xhafaj: Gjykata Kushtetuese, e paligjshme

Partia Socialiste ka përshëndetur aktin e dorëheqjes së anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Petrit Plloçi, duke e vlerësuar figurën e tij, të njohur për thjeshtësinë, ndershmërinë dhe integritetin profesional.

Nëpërmjet një komunikimi për shtyp, deputeti i PS-së Fatmir Xhafaj e cilësoi aktin e dorëheqjes së Plloçit një reagim ndaj situatës së krijuar në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa e konsideroi Gjykatën, si të paligjshme.

Ai tha se e gjithë kjo që po ndodh është pjesë e një skenari ogurzi që kërkon të nxjerrë jashtë funksionit të saj Gjykatën Kushtetuese.

Në këtë mënyrë cenohet Kushtetuta, kjo është një përpjekje e dhunshme për të vendosur në kontroll absolut  pushtetet, tha Xhafaj, i cili shtoi se qëndrimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese, për PS-në, janë pjesë dhe zgjatim i qëndrimeve antikushtetues të mbajtura nga kryetarja e Kuvendit. Sipas tij, kërkohet mbajtja e tre vendeve bosh për ti dekretuar  me presidentin e ri, i cili do të jetë produkt i kësaj maxhorance.

Anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Petrit Plloçi, i dorëzoi dje dorëheqjen e tij me shkrim kryetarit të kësaj Gjykate dhe Presidentit të Republikës. Në dorëheqjen e tij, Plloçi kundërshton zgjatjen e mandatit të tij, i cila ka përfunduar prej gati dy vjetësh. Mandati i ka përfunduar gjithashtu edhe dy anëtarëve të tjerë të Gjykatës Kushtetuese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›