E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: “Të rrëzohet muri që pengon përfaqësimin e grave”

21-04-2012 / Gazeta 55

Mblidhet në Tiranë Forumi Rajonal i Grave - Vokshi: Kodi Zgjedhor të përcaktojë zbatimin e kuotës. Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri: Gratë janë kapital i pashfrytëzuar

Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë thërriti dje në Tiranë takimin rajonal të forumeve politike të grave, në fokus të të cilit ishte rritja e përfaqësimit të gruas në vendimmarrje dhe në proceset integruese.
Kryetarja e LDGSH, deputetja Albana Vokshi deklaroi se Shqipëria është në prag të marrjes së statusit të vendit kandidat dhe se forumet politike të grave duhet të jenë më aktive në avancimin e të drejtave të grave dhe vajzave, për të eliminuar diskriminimin gjinor.
Vokshi theksoi se PD dhe LDGSH, janë angazhuar fort në promovimin e parimeve të barazisë gjinore në të gjitha nivelet e qeverisjes si dhe parandalimin e luftës kundër dhunë në familje, duke konsideruar se respektimi i të drejtave të grave dhe vajzave është në themel të të drejtave të njeriut. Përfaqësueset e forumeve politike nga Kosova, Maqedonia dhe Greqia sollën përvojat e tyre në promovimin dhe fuqizimin e rolit të gruas dhe rritjen e përfaqësimit të saj në nivelet vendimmarrëse.
Takimi rajonal i forumeve politike të grave miratoi dhe një rezolutë ku i bëhet thirrje partive parlamentare të respektojnë kuotën gjinore të përfaqësimit të gruas në politikë, duke konsideruar se gratë dhe vajzat gëzojnë të njëjtat të drejta si burrat dhe djemtë, për të qenë pjesë e vendimmarrjes në strukturat partiake, në Parlament dhe Qeveri.
Takimi u mbajt në Tiranë nën kujdesin e kryetares së Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, Albana Vokshi dhe u mbështet nga Women’s Democracy Network, NDI dhe ISET. Në këtë takim morën pjesë politike të Nea Dimokratia, Greqi, PDK, Kosovë, AAK, Kosovë, VMRO-DPMNE, Maqedoni si dhe përfaqësues të trupit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare.

Topalli: Fuqizimi i rolit të gruas, kusht për një shoqëri demokratike
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u shpreh dje në tryezën rajonale për rolin e gruas në vendim-marrje, se “fuqizimi i rolit të gruas në shoqëri është një çështje e rëndësishme dhe se duhet të rrëzohet muri që u vendos kuota grave. Roli i gruas në vendim-marrje është i pamjaftueshëm, sepse kjo është shumë e pakët nga ajo sa jemi në shoqëri. Duhet të rrëzojmë murin që i vendos kuota grave. Çështja e grave nuk është çështje e përfaqësimit, bëhet fjalë për çështje të së drejtës, ndaj nuk duhet të ketë kufizime. Për sa kohë jemi gjysma e shoqërisë, gjysma duhet të jemi kudo, në biznes, banka, administratë, në vendimmarrje e kudo”, tha Topalli.
Kryeparlamentarja Topalli theksoi se për këtë duhet solidaritet mes grave, që jo gjithnjë ekziston. “Ne vëmë re që kur flitet për burra u falen defektet, mbyllet një sy edhe kur është fjala për korrupsion e mos angazhim total, gratë shikohen të milimetruara në çdo moment dhe nuk hezitojnë të bëjnë gjithë komentet, por nuk thonë të vërtetën e madhe, kur gruaja beson, ajo lufton deri në fund dhe e arrin”, tha Topalli. “Ne shpesh mblidhemi me njëra-tjetrën për të diskutuar për çështjet që rëndojnë në jetën e përditshme të grave në punë në familje, shoqëri, në fshat apo qytet, që kanë të bëjnë me momente të vështira si dhuna apo sëmundje, por ndoshta më pak jemi mbledhur për fuqizimin e gruas në tërësi”, theksoi Topalli.
Kryeparlametarja Topalli u shpreh se, “forumet e fuqizimit të grave janë bërë të fuqishme, janë fondacione të tëra në mbështetje të fuqizimit të grave për një arsye të thjeshtë, sepse fuqizimi i statusit të gruas është fuqizimi i vendit dhe i botës në tërësi. Gruaja është e aftë të jetë në postet drejtuese të vendit dhe duhet të shtohet fuqizimi i gruas në jetën sociale, politike dhe ekonomike. Kur gruaja beson, ajo e realizon dhe e arrin, ashtu sikurse e arrin për të qenë një nënë shumë e mirë. Ashtu siç dinë të rregullojnë punët e shtëpisë, gratë dinë të rregullojnë punët e shtetit, të ekonomisë, të bankës dhe drejtimit të institucioneve”, tha më tej, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Ndërkaq, zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri tha se gratë janë një kapital i pashfrytëzuar për shoqërinë. Sipas saj, vëmendja ndaj grave duhet të jetë maksimale dhe me përkujdesje të veçantë në forumet politike, vendimmarrëse dhe integruese.

Objektivat e LDGSH - Një grua aktive në politikë
Lidhja Demokratike e Gruas do të mbështesë një përfaqësim dinjitoz të gruas në jetën politike, nëpërmjet rritjes së vazhdueshme të pjesëmarrjes së grave në procesin e politikëbërjes dhe vendimmarrjes. Në fokus të kësaj janë zbatimi i plotë i detyrimit të kuotave të përfaqësimit në të gjitha nivelet e qeverisjes.
Sipas LDGSH, gratë duhet të jenë të përfaqësuara denjësisht në sistemin politik dhe në hierarkinë e lartë administrative, në borde dhe në drejtim ekzekutiv, ku kuota 30 për qind të konsiderohet si një nivel minimal i detyrueshëm.
Zhvillimi i mëtejshëm i kapaciteteve të grave në lidershipin politik dhe vendimmarrje të grave dhe vajzave të PD, LDGSH dhe FRPD, si dhe nga shoqëria civile për t’u bërë pjesë e proceseve dhe garave zgjedhore; nxitjes së të drejtave ekonomike të grave, duke përfshirë nxitjen e punësimit dhe rritjen e eksesit ndaj burimeve ekonomike; kualifikim profesional dhe integrim sa më të mirë në tregun e punës; promovim të barazisë gjinore si dhe pjesëmarrjen e grave dhe vajzave, jo vetëm në mësimdhënie, por ehe në menaxhimin e institucioneve arsimore dhe politikave të arsimit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›