“Thjeshtim të procedurave për lëvizjen e lirë të qytetarëve”

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani takon Ambasadorin e Kosovës Sylejman Selimi
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani priti dje në një takim Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Tiranë Sylejman Selimi.
Duke i përcjellë urimet më të përzemërta për sukses në detyrën e ngarkuar, Ministri Nishani garantoi Ambasadorin Selimi për vullnetin dhe angazhimin e plotë të Ministrisë së Brendshme dhe strukturave të saj për bashkëpunim të ngushtë në dobi të qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës.
Në takim u diskutua gjerësisht për aspekte të veçanta të lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave, të reduktimit apo thjeshtimit të procedurave në raport me autoritetet policore kufitare apo rrugore, dhe intensifikimin e komunikimit dhe bashkëpunimit në nivel ekspertësh për të gjitha çështjet me interes dypalësh.
“Për ne është e rëndësishme të gjenden dhe përcaktohen rrugët e zgjidhjes së çdo problemi edhe sikur ky problem të paraqitet qoftë edhe për një qytetar të vetëm”, u shpreh ministri Nishani në takim, duke vlerësuar se bashkëpunimi me Kosovën përfaqëson sot modelin më të mirë të bashkëpunimit rajonal.
Ministri Nishani dhe Ambasadori Selimi ndanë të njëjtën pikëpamje që krahas lehtësive për qytetarët e thjeshtë të vijohet me të njëjtin nivel bashkëpunimi për luftën me tolerancë zero kundër grupeve të trafiqeve të paligjshme dhe veprimtarive kriminale në Shqipëri dhe Kosovë.