E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto: Veprim i papranueshëm kthimi i qytetarëve në kufirin grek

21-04-2012 / Gazeta 55

Tirana zyrtare, shprehet për incidentet e fundit në pikat doganore

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto i cilëson të papranueshme veprimet e autoriteteve greke, për të kthyer qytetarët shqiptarë në pikat e kalimit kufitar, ku rasti më i fundit janë disa gjyqtarë, të cilëve iu pengua hyrja në territorin grek.
Kryediplomati shqiptar tha se Ministria e Jashtme, do mbajë qëndrim dhe do t’i kërkojë shpjegime palës greke. “Të gjithë veprimet tona diplomatike do të marrin qëndrimin dhe shpjegimin e palës greke dhe më pas do bëjmë reagimin përkatës. Është e papranueshme që kushdo qytetar shqiptar të pengohet të ushtrojë të drejtën legjitime për të lëvizur i lirë”, u shpreh Haxhinasto, sa i takon një çështje të tillë.
Deklaratat e tij, ministri Haxhinasto i bëri pas një takimi të zhvilluar me zëvendësministrin e Jashtëm të Australisë, Richard Marles.
Në konferencën e përbashkët për shtyp Haxhinasto ka vlerësuar bashkëpunimin mes dy vendeve dhe ka theksuar se ky bashkëpunim do të shtrihet në fusha të ndryshme.
Ndërsa zëvendësministri i Australisë e ka konsideruar takimin me Haxhinaston si të frytshëm. Marles e ka vënë theksin tek bashkëpunimi për paqen në Afganistan ku ka gjetur rastin të shprehë dhe ngushëllimet për humbjen e Kapiten, Feti Voglit. Zëvendësministri i Jashtëm australian ndodhet në një vizitë zyrtare në vendin tonë ku ka takuar personalitet e politikës shqiptare.
Ndërkohë që ministri Haxhinasto ashtu siç deklaroi edhe gjatë konferencës së shpejti pritet të vizitojë Australinë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›