E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, Xhafaj: Jo në Kushtetuese kuorumin për presidentin

TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj në një intervistë për News 24 flet për procesin e zgjedhjes së presidentit. Zoti Xhafaj sqaron se pavarësisht se duhet të ketë një interpretim në Gjykatën Kushtetuese, për sa i përket numrit të deputetëve që duhet të jenë në sallë në raundet e para, PS nuk do kërkojë interpretim nga Gjykata Kushtetuese. Sipas sekretarit për koordinimin në selinë rozë shkaku qëndron tek vetë gjykata, tek disa anëtarë të saj që janë në shërbim të mazhorancës.

“Gjykata Kushtetuese, kjo aktuale me një sërë vendimesh të kohëve të fundit e ka përjashtuar opozitën nga e drejta për të kërkuar interpretimin e normave të caktuara kushtetuese, ja ka prerë rrugën. Më i turpshëm është vendimi i fundit lidhur më çështjen e Piramidës, ku Gjykata Kushtetuese me një shumicë 5 me 4 ka vendosur mos legjitimimin e grupit parlamentar, kjo është e rëndë. Aty ende vazhdon të ketë gjyqtarë kushtetues që janë tej mandatit të tyre kushtetues. Gjyqtarë të tillë të kapur peng nga kjo mazhorancë, që vazhdojnë të qëndrojnë jashtë funksionit dhe mandatit të tyre kushtetues nuk do të bëjnë gjë tjetër veçse t’i mbyllin derën opozitës”, tha Xhafaj.

Deputeti socialist gjithashtu flet edhe për figurën e presidentit të ri të vendit. Sipas tij, ai duhet të jetë një personalitet që të garantojë pavarësinë e institucioneve dhe të garantojë pavarësinë e institucioneve dhe të jetë mbi palët politike.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›