E Diel, 1 Nëntor 2026

Atentatorët e Gocajt i vunë 800 gr tritol makinës të së dashurës

15/02/2012  Hetimet e Prokurorisë zbulojnë sasinë e vërtetë të eksplozivit që priste sinjalin

TIRANË- Në makinën e të dashurës së Aleksandër Gocajt ishin vendosur jo 500 gr tritol C4 me telekomandë, siç u njoftua pas zbulimit, por plot 800 gramë, çka do të thotë se në rast shpërthimi rrezikohej të hidheshin në erë jo vetëm makina, por edhe godina të tjera. Lajmi mësohet nga burime pranë Prokurorisë së Tiranës, të cilat po kryejnë verifikimet rreth ngjarjes së 6 shkurtit. Ndonëse kanë kaluar 10 ditë nga zbulimi i tritolit të telekomanduar, ende nuk janë identifikuar autorët e ngjarjes, por një histori e koklavitur qëndron pas makinës me targa gjermane. Makina në përdorim të shtetases Ada Thaçi ishte blerë nga Aleksandër Gocaj dy ditë para 2 shkurtit, kur persona të paidentifikuar qëlluan 27-vjeçarin me armë zjarri tek “Komuna e Parisit”, duke e lënë atë të plagosur në shpatull dhe vranë 25-vjeçaren e pafajshme Megi Jokiçi. Dy ditë para se të plagosej, Gocaj kishte blerë makinën tip “Benz” në shasinë e së cilës u zbuluan 800 gramë eksploziv C4, mbrëmjen e së hënës. Sipas policisë, Gocaj, bashkë me të dashurën Ada Thaçi, kishin blerë automjetin me targa gjermane KCJ 337, në një servis në Laprakë. Nuk ia kishin dhënë paratë pronarit për shkak se Gocaj u plagos dhe makina u përdor nga e dashura e tij Ada Thaçi, 23 vjeçe. Kur u zbulua sasia prej 800 gramësh eksploziv poshtë shasisë, mjeti ishte parkuar poshtë pallatit ku banon e dashura e Gocajt, e cila jeton me nënën dhe motrën e saj në rrugën “Hamdi Cenoymeri” në Kombinat. Eksplozivi, sipas policisë, është zbuluar nga personi që më 31 janar 2012 i kishte shitur makinën çiftit. Ai ishte telefonuar nga Ada Thaçi që të vinte të merrte makinën mbrapsht, pasi i dashuri i saj kishte ndërruar mendje dhe ishte tërhequr nga ideja për ta blerë. Pronari i servisit është personi që ka zbuluar sasinë e C4, kur po kontrollonte mjetin pasi do ta merrte sërish mbrapsht. Sipas Prokurorisë, fakti që sasia prej 800 gramësh C4 ende nuk kishte shpërthyer, edhe pse sinjalin e merrte me telekomandë, do të thotë që nuk kishte objektiv 23-vjeçaren Thaçi, por vetë Aleksandër Gocajn. Aleksandër Gocaj është një prej miqve më të ngushtë të ish-efektivit të forcave speciale, Halit (Donald) Dedja, i cili u vra në dhjetor të vitit 2010. Sipas burimeve nga policia, Gocaj ishte krahu i djathtë i Dedjes dhe ka qenë pranë tij në shumë incidente e ngjarje të rënda që kanë tronditur Burrelin, por edhe Tiranën pas vitit 1997.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›