E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, Xhafaj: Maxhoranca po përpiqet të vërë nën kontroll drejtësinë

Fatmir Xhafaj

PS denoncon përpjekjet e maxhorancës për të vënë nën kontroll institucionet drejtësisë përmes veprimeve antikushtetuese. Në një konferencë për shtyp në mesditë, sekretari për çështjet ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, u shpreh se Gjykata Kushtetuese ka marrë dy vendime që cenojnë rëndë legjitimitetin e saj. Sipas Xhafës, Gjykata Kushtetuese po vepron si zgjatim i vijës së qëndrimit të kryeparlamentares Topalli për zgjidhjen e ngërçit President-Parlament, ndërkohë që i ka hequr opozitës të drejtën e ankimimit.

Gjykata Kushtetuese ka marrë dy vendime që kanë cënuar rëndë legjitimitetin e saj. Vendimi për zgjidhjen e ngërçit President- Parlament për çështjen e ripërtëritjes së gjyqtarëve. Votuan dy gjyqtarë që u ka mbaruar mandati për të shtuar mandatin e tyre, përfunduar para dy vitesh. Sot mund të konsiderohet gjykatë e paligjshme, zgjatim i vijës së qëndrimit të kryeparlamentares.

Me një vendim tjetër Kushtetuesja i ka hequr opozitës të drejtën kushtetuese të ankimimit, kompetencë kjo që i krijonte mundësi opozitës të jetë më aktive. Tashmë ne mund ti drejtohemi Kushtetueses vetëm kur na cenohen të drejtat tona të ngushta. Kjo zhduk kontrollin ndaj qeverisë dhe mazhorancës. Pavarësia dhe balancimi i pushtetit është e drejtë e demokracisë, tha ai.
Për PS-në, dorëheqja e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Petrit Plloçi, është një sirenë alarmi për gjendjen në të cilën ndodhet drejtësia.

Akti i tij i dorëheqjes si reagim i situatës së paligjshme është një gjë e rrallë në mjediset e drejtësisë, por dhe për gjithë shoqërinë. Dorëheqja është një sirenë alarmi në gjendjen ku ndodhet drejtësia, për shkak të përpjekjes së qeverisë për të vënë nën kontroll subjektet e pavarura, tha Xhafaj.

Anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Petrit Plloçi, dha dje dorëheqjen nga detyra.  Në kërkesën e tij, anëtari i Gjykatës Kushtetuese sqaron se zgjatja e mandatit për një kohë të gjatë, është e papranueshme. Ai argumenton se mund të qëndrojë në detyrë deri në zëvendësimin e tij , por zgjatja e mandatit është antikushtetuese pasi bie ndesh me periudhën e qëndrimit në detyrë të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Ndryshe nga gjashtë kolegët e tij, Petrit Plloçi është një prej tre gjyqtarëve të cilët votuan kundër rrëzimit të kërkesës së Presidentit që e konsideronte antikushtetues bllokimin e tre dekreteve nga Parlamenti. / G.N.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›