E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Zgjedhjet në rrezik, qeveria të marrë parasysh propozimet tona

Selia rozë jep alarmin për rrezikun që u kanoset zgjedhjeve të 28 qershorit. Dade: “Shtabet tona lokale po monitorojnë procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit”

Shaban Sulçe

Partia Socialiste nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj denoncues për dështimin që u kanoset zgjedhjeve të 28 qershorit si rezultat i vonesave në pajisjen e shqiptarëve me karta identiteti. Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Socialiste, Arta Dade, tha se qeveria po tregohet e paaftë dhe e papërgjegjshme për të realizuar me sukses procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit, duke vënë seriozisht në rrezik zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. “Vërejmë me keqardhje se papërgjegjshmëria dhe paaftësia totale e qeverisë ka shkaktuar këto mangësi që vënë në pikëpyetje zgjedhjet e lira, të ndershme dhe demokratike. Nuk do të donim të besonim që pas kësaj fshihet një skenar i mundshëm i manipulimit të zgjedhjeve. Prandaj i kërkojmë qeverisë që ndalë demagogjinë dhe të angazhohet seriozisht për të realizuar në kohë dhe në cilësi detyrimet e saj ligjore për mbarëvajtjen e këtij procesi”, - tha Dade.

Propozimet

Duke nënvizuar rrezikun që u kanoset zgjedhjeve të lira, Dade risolli në vëmendje propozimet e bëra nga Partia Socialiste, propozime që do të ndikonin në realizimin me sukses të procesit të shpërndarjes së kartave të identitetit, por edhe të vetë procesit zgjedhor në tërësi. “Qeveria duhet të hapë urgjentisht zyrat përkatëse për aplikimin në të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit, pasi deri sot kompanisë përgjegjëse për lëshimin e këtyre dokumenteve nuk i janë krijuar kushtet për të patur zyrat e saj në çdo njësi vendore. Gjithashtu, ajo duhet të krijojë kushtet për njoftimin dhe lehtësimin e procedurave për shtetasit që nuk janë të pajisur me pasaportë, duke përcaktuar afate kohore konkrete. Rezulton që numri i shtetasve pa pasaportë tejkalon dukshëm shifrën e dhënë nga Ministria e Brendshme. Qeveria duhet të përmbushë detyrimin e saj ligjor për të bërë transparencën maksimale të procesit të aplikimit, si dhe të ndërmarrë një fushatë publicitare më të efektshme në median qendrore dhe atë lokale. Së fundmi, duhet të bëhet eficient propozimi i PSSH-së për ngritjen e komisionit parlamentar ad-hoc për monitorimin e ecurisë së procesit zgjedhor”, - vijoi deputetja socialiste.

Monitorimi

Dade tha se Partia Socialiste po ndjek me shumë vëmendje ecurinë e procesit të shpërndarjes së kartave të identitetit. Ajo deklaroi se përfaqësuesit e pushtetit vendor, si dhe strukturat e PS-së në terren, do të monitorojnë nga afër procesin. “Duke vlerësuar rëndësinë e këtij procesi, Partia Socialiste e Shqipërisë do të informojë në mënyrë të vazhdueshme opinionin publik lidhur me ecurinë e këtij procesi duke u bazuar në të dhëna konkrete të përditësuara që sigurohen nga përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe strukturat në terren, bazuar mbi sistemin funksional-monitorues të ngritur nga PSSH-ja për këtë qëllim”, - tha deputetja socialiste Arta Dade.

17 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›