Rama: “Nuk do t'i kundërvihemi mllefit me mllef”
Gjatë turit të takimeve me vullnetarë në Qarkun e Beratit, Edi Rama dhe deputetët e këtij qarku që e shoqërojnë kanë zhvilluar takime në Poliçan e Kuçovë. Në këto takime, kryetari socialist, Edi Rama, është ndalur tek industria e baltës që ka nisur të punojë në këtë prag fushate, e cila, sipas liderit opozitar, do të vijë në rritje. Por, Rama u ka bërë apel nga Poliçani të gjithë atyre që e duan ndryshimin për të mos humbur arsyen përballë baltës e shpifjeve që do të gjenerojë lufta për pushtet e politikës së vjetër. “Përballë nesh është Sali Berisha dhe jo vetëm ai, por e gjithë politika e vjetër e industrisë së akuzave, shpifjeve, fyerjeve, djathtas e majtas, që në javët e muajt në vijim do të punojë në ethe të papara, si asnjëherë më parë, për të na përbaltur, shkurajuar, mjegulluar arsyen e rrëzuar moralin.
Por ne nuk do ta humbasim mundësinë që na jepet për t'u ndarë nga Shqipëria e baltës së keqqeverisjes dhe nga balta që lufta për pushtet e zanatçinjve të politikës së vjetër, të urrejtjes e të sherrit, fut në të gjitha shtëpitë tona. Ne nuk do t'i kundërvihemi baltës dhe mllefit me baltë dhe mllef, por me fuqinë e besimit tonë tek ëndrra që na ka prurë në këtë sallë, të cilën do ta tregojmë qytet më qytet, fshat më fshat, shtëpi më shtëpi, në të gjithë Shqipërinë, ku, ju siguroj, do të gjejmë çdo ditë mijëra, qindramijëra si ne dhe pak si ata që me ëndrrën tonë kanë 18 vjet që luajnë lojën e pashpirtë të pushtetit të interesave të tyre. Ne nuk do të mallkojmë errësirën ku duan të na mbajnë edhe 4 vjet të tjera. Ne nuk do rreshtim së ndezuri dritën e shpresës në zemra e mendje shqiptarësh e shqiptaresh të të gjitha moshave e krahinave, përtej të majtës e të djathtës. Sepse, për ne nuk ka një Shqipëri të majtë e një Shqipëri të djathtë, por një Shqipëri të bashkuar në ëndrrën që tetëmbëdhjetë vjet më parë i nxorri njerëzit në rrugë dhe sot kërkon rrugë për të dalë nga duart që e pengojnë të bëhet realitet.”, - tha Rama.
17 Shkurt 2009