Prifti: Hidrocentralet punojnë me kapacitet të plotë
06/01/2010 Niveli i Fierzës u ul me 75 cm, zgjidhja prodhimi dhe shkarkimet e ujit
Shkarkimet e ujit dhe prodhimi i energjisë “shpëtojnë” liqenin e Fierzës nga katastrofa. Sipas ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti niveli në këtë liqen ka rënë me 75 cm gjatë 24 orëve të fundit duke realizuar mbajtjen nën kontroll të situatës së krijuar ditët e fundit, për shkak të reshjeve të shumta. “Fierza ka arritur nivelin e 292.27 metrave. Niveli i Komanit ka arritur në 174.4 metra, ndërsa Vau i Dejës në 74.46 metra. Niveli i ujit në Vaun e Dejës ka rënë me 12 cm gjatë 24 orëve të fundit. Ndërsa Ulza dhe Shkopeti kanë arritur në 28.18 cm. Shqetësimi kryesor ka qenë ulja e nivelit të ujit në liqenin e Fierzës, pasi 296 metra ishte kapaciteti i liqenit dhe mbi këtë nivel, rrezikohej katastrofë kombëtare. Por niveli i ujit në Fierzë u arrit të ulej me 75 metra”,- është shprehur ministri i Energjetikës. Sipas tij, në Fierzë nuk ka më shkarkime të ujit dhe po punohet me kapacitet të plotë. Në Koman po bëhen derdhje prej 300 metra kub në sekondë dhe hidrocentrali punon me 4 turbina, ndërsa në Vaun e Dejës po bëhen derdhje 600 metra kub në sekondë dhe punohet me 5 turbina. Ndërkaq, sipas Priftit prodhimi vendas arriti në nivelin rekord të 28.8 milionë kilovat orëve. “Prodhimi vendas i energjisë ka arritur në 28.8 milionë kilovat orë, një nivel shumë i lartë, ndërkohë që në vend konsumohen 23.2 milionë kilovat orë. Pjesa tjetër është eksporti i energjisë që gjatë orëve të fundit ka arritur në 12.2 milionë kilovat orë. Ndërkohë OSSH importon 7.4 milionë kilovat orë”, - deklaroi dje ministri Prifti. Lidhur me akuzat e opozitës për situatën e krijuar në vend, ai u shpreh se këtë gjendje nuk mund ta komentojnë njerëz që nuk e njohin energjetikën. Prifti i kërkoi opozitës të bashkohet për menaxhimin sa më të mirë të situatës dhe të mos lutet për katastrofa kombëtare. Tre institucionet e energjetikës, KESH-i, OST-ja dhe OSSH-ja janë duke monitoruar minutë pas minute situatën, por sipas ministrit të Energjetikës, Dritan Prifti në këtë proces janë përfshirë edhe ekspertë të jashtëm, të pavarur, që kanë projektuar hidrocentralet e mëdha në vendin tonë. “Situata është disiplinuar, por varet nga moti në ditët në vijim. Parashikimi është që do të ketë reshje gjatë ditëve të ardhshme. Unë kam thirrur në konsultime private ekspertët më të mirë të energjetikës, që kanë projektuar Fierzën dhe kanë eksperiencë shumë vjeçare”,- tha ministri Prifti.