PS, apel prokurorisë dhe gjykatave të veprojnë
Partia Socialiste ka kërkuar dje publikisht që çështja “Prifti” të bëhet pjesë e punës së Prokurorisë së Përgjithshme. Pasi shfrytëzoi deklaratën e pasurisë së ministrit të Ekonomisë, selia rozë po kërkon në përditshmëri transferimin e kësaj çështjeje politike në tryezat e organit të ndjekjes penale, çka do të regjistronte ndoshta rekord për qeveritë shqiptare sa i përket padive ndaj ministrave. Apelin rreth kësaj çështjeje e ka bërë dje sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në selinë rozë, Arta Dade, e cila e ka vlerësuar nevojën e reagimit të prokurorisë si dëshmi të pavarësisë së saj. “Sali Berisha është përgjegjësi kryesor i instalimit dhe i thellimit të korrupsionit në qeverinë e tij dhe është i detyruar t’i japë përgjigje opozitës dhe shqiptarëve për fitimin korruptiv prej 1.8 milionë eurosh brenda një viti të krizës ekonomike të ministrit të tij... Vazhdojmë të kërkojmë dhe të presim hapat e rëndësishëm që duhet të ndërmerren urgjentisht nga prokuroria, e cila shpresojmë t’u ketë shpëtuar kthetrave të Sali Berishës dhe koalicionit që ai drejton”, tha Dade. Më pas ajo ka bërë një thirrje edhe për organet e drejtësisë, të cilat duhet të reagojnë në emër të zbatimit të ligjit dhe Kushtetutës. “Gjithashtu organet e drejtësisë, që në raste të ngjashme fatkeqësisht mund të kenë qenë të dominuara nga politika, duhet të veprojnë në zbatim të ligjit dhe të bëjnë drejtësi për këto afera korruptive që kanë vënë në rrezik demokracinë dhe kanë zhytur në varfëri të skajshme shumicën e shqiptarëve”, tha Dade.
#