PS bojkoton zgjedhjet e 15 nëntorit, nuk regjistrohet në KQZ
Partia Socialiste zyrtarisht nuk merr pjesë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 15 nëntorit. Vendimi nuk ka ardhur nga Asambleja e Partisë Socialiste, por nga ligji, i cili parashikon se data 12 tetor ishte afati i fundit për regjistrimin e partive politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Burime zyrtare të KQZ-së i thanë gazetës së afati skadoi dje në mbrëmje në orën 12 të mbrëmjes, ndërsa kishin mbyllur procedurat vetëm tri forca politike, Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim si dhe Partia e Punës e Rinovuar. Ndonëse kreu i PS-së, Edi Rama, pati deklaruar se do t’i propozonte Asamblesë së PS-së të bojkotojë zgjedhjet e pjesshme të 15 nëntorit, bojkoti është bërë fakt i kryer tashmë. Burimet në KQZ u shprehën se sipas afatit të ligjit, dje ishte dita e fundit që partitë politike të regjistroheshin për garën në 5 njësi vendore. Sipas të njëjtave burimeve, vetëm tri forcat politike u regjistruan në KQZ ndërsa të tjera nuk u paraqitën. Ligjërisht, tashmë vetëm PD, LSI dhe PPRSH kanë të drejtën për të konkurruar në zgjedhjet e pjesshme vendore. Bie në sy edhe bojkoti që aleatët e PS-së u kanë bërë këtyre zgjedhjeve. Asnjë parti e vogël aleate e PS-së nuk u regjistrua në KQZ, duke ndjekur rrugën e PS-së për bojkotin.
LSI, taktikë për të marrë votat e PS-së
Lëvizja Socialiste për Integrim duket se do të konkurrojë më vete në zgjedhjet e pjesshme vendore. Regjistrimi i LSI-së në KQZ është hapi i parafundit për të konkurruar në zgjedhje. Ndonëse ishte parashikuar fillimisht që LSI në këto zgjedhje të pjesshme të dilte së bashku me PD-në, bojkoti i PS-së ka ndërruar qëndrimin e LSI-së. Në mbledhjen e Komitetit Drejtues të pak ditëve më parë anëtarët e LSI-së kërkuan që të kandidojnë me kandidatë në këto zgjedhje jo duke konkurruar PD-në, por PS-në. Sipas tyre, me kandidatët e vet LSI t’i bëjë thirrje elektoratit të majtë të votojë për kandidatët e LSI-së. Sipas tyre, kjo do të ndëshkonte qëndrimin jokonstruktiv dhe bojkotin e Edi Ramës. Gjithsesi, duhet të presim deri në datën 18 nëse LSI do të prezantojë kandidatët e saj në këto zgjedhje.
Procesi zgjedhor në këto 5 njësi do të zhvillohet, pasi drejtuesit e tyre të mëparshëm u zgjodhën deputetë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Procesi i votimit do të zhvillohet në njësinë bashkiake nr. 10 në Tiranë për zgjedhjen e kreut të ri të kësaj njësie. Gjithashtu, do të zhvillohen zgjedhje për kryetar të Bashkisë së Klosit në rrethin e Matit, për kryetar të Bashkisë së Fushë-Arrëzit, për kryetar të komunës së Fierzës në Pukë si dhe të komunës së Otllakut në Berat.
Kandidatët
KQZ mori një vendim pak ditë më parë, ku vendosi që dokumentet e kandidimit paraqiten jo më vonë se data 18 tetor, brenda 24 orëve KZAZ merr vendim dhe akreditimi i vëzhguesve bëhet jo më vonë se 31 tetori. Gjithashtu, KQZ-ja u ka kërkuar prefektëve të Beratit, Kukësit, Dibrës, Shkodrës dhe Tiranës që t’i paraqesin KQZ-së listën e plotë të objekteve brenda territorit të qarkut, që përmbushin kushtet e parashikuara në ligj për Vendet e Numërimit të Votave, jo më vonë se data 20 tetor. Në relacionin e paraqitur nga administrata theksohet se përcaktohen vetë etapat e paraqitjes së dokumentacionit dhe regjistrimit për shkak se Kodi Zgjedhor nuk e përmban një gjë të tillë.