E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS “denoncon” KQZ në Bruksel

14/06/2011  Situata paszgjedhore pjesë e diskutimeve në Parlamentin Evropian

Deputetët socialistë u nisën drejt kryeqendrës evropiane që mesditën e djeshme

Situata paszgjedhore në vend do të jetë pjesë thelbësore e axhendës së shtatë deputetëve socialistë në Bruksel, ku do të diskutohen 12 rekomandimet e BE-së për integrimin e Shqipërisë. Një fakt i tillë u bë dje i dituar nga deputetja e Partisë Socialiste Arta Dade. “Për fat të keq, ajo që ndodhi me zgjedhjet e 8 majit, që përbëjnë një nga elementet kryesore të 12 pikave, pra zgjedhje të cilat duhej të kishin përmbushur standardet europiane, konform edhe kritereve të Kopenhagës dhe gjithashtu kriteri politik, i cili është parësor edhe në kërkesat e Brukselit, do të jetë në krye të axhendës”, - u shpreh sekretarja për marrëdhëniet me jashtë pranë PS-së Arta Dade. Duke vijuar po në këtë linjë, Dade shtoi se “është për të ardhur keq që kjo maxhorancë ka bërë veshin e shurdhët kundrejt të gjitha mesazheve të Brukselit. Maxhoranca të reflektojë dhe të mos vazhdojë të bëjë atë që ka bërë deri më sot edhe lidhur me zgjedhjet e 8 majit, duke ndryshuar rezultatin në tavolinë dhe duke iu imponuar institucioneve të pavarura të shkelin ligjin”. Gjithashtu, sipas saj, PS-ja është e vendosur për të ndjekur të gjitha hapat deri në vendosjen në vend të drejtësisë. “Do të hedhim të gjitha hapat e duhur për të mbrojtur demokracinë, për të mbrojtur institucionet, të cilat tashmë janë vënë të gjitha në rrezik”, - vuri në dukje deputetja socialiste lidhur me një çështje të tillë. Kështu, gjatë ditës së sotme delegacioni i deputetëve shqiptarë do të jenë pjesë e punimeve të PE-së, ku do të zhvillohet raundi i bisedimeve për 12 pikat e raportit të progresit. Nga ana e tyre deputetët socialistë u nisën që dje drejt Brukselit për të mundësuar takime të ndryshme me eurodeputetët, mbështetës të kësaj force politike.

Kryeministri Sali Berisha do të niset drejt Brukselit, ku do të jetë pjesë e tryezës që do të organizojnë Partitë Popullore Evropiane. Kësisoj udhëtimi i kreut të qeverisë do të përkojë pikërisht me atmosferën që do të krijohet pas diskutimeve në PE për situatën paszgjedhore në Shqipëri, ku deputetët shqiptarë të dy kampeve respektive do të japin qëndrimet e tyre lidhur me këtë çështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›