E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS “detyron” mbështetësit të marrin kartat e identitetit

29/12/2008  Fillimviti, nis etapa e radhës e përgatitjeve në strukturat socialiste

Partia Socialiste do të përfshihet në një etapë tjetër të përgatitjeve të saj për procesin zgjedhor. Kështu, gjatë gjithë muajit janar e gjithë partia, nga niveli qendror e deri në atë lokal do të jetë e përfshirë në procesin për pajisjen e të gjithë mbështetësve dhe votuesve të saj me kartat e identitetit. Sikundër pretendohet në fillim të muajit janar pritet që të fillojë pajisja e shqiptarëve me mjetet e identifikimit. Pikërisht ndalur në këtë moment, socialistët gjatë janarit do të angazhohen për realizimin me sukses të këtij procesi. Kështu, në bazë të strategjisë së hartuar nga lidershipi i PS-së, ku çdo anëtar partie ka për detyrë të identifikojë bindjet politike të 30 apo 50 votuesve. Kjo sipas ndarjeve të përcaktuara nga struktura drejtuese socialiste në qark, bashki dhe komunë. Komunikimi i anëtarëve të PS-së me votuesit është i drejtpërdrejtë, duke shkuar derë më derë dhe duke drejtuar pyetjet përkatëse mbi këtë proces. Por, paraprakisht socialistët kanë bërë dhe një ndarje në kategori të përkatësive partiake. Kështu me numrin 1 janë të identifikuar mbështetësit socialistë. Me numrin 2 janë të lëkundurit apo të pakënaqurit nga PS. Me numrin 3 të pakënaqurit nga e djathta qeverisëse dhe me numrin 4 janë mbështetësit e PD-së. Në bazë të kësaj ndarje, anëtarët e PS-së duhet të radhisin dhe emrat e votuesve. Por komunikimi dhe mbledhja e të dhënave për çdo votues duhet të përfundojë në fund të këtij muaji. Kjo për vetë faktin se në muajin janar në bazë të këtyre ndarjeve dhe të dhënave për çdo votues strukturat drejtuese të PS-së, përfshirë këtu, vullnetarë, anëtarë partie, duhet që të realizojnë një tjetër etapë, atë të pajisjes se mbështetësve dhe të zgjedhësve që janë radhitur si votues të Partisë Socialiste me kartat e identitetit. Por, ashtu sikundër u veprua për përgatitjen e listave të votuesve dhe përkatësinë e tyre politike, përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë, po në të njëjtën mënyrë do të veprohet dhe për këtë proces të radhës. Të gjithë socialistët do të jenë të angazhuar në takimet me votuesit ku do t’u bëjnë me dije ditën, orën dhe vendin ku ato duhet të shkojnë të marrin kartat e tyre të identitetit.

Axhenda e punës së PS-së

Partia Socialiste e çdo rrethi duhet të përcaktojë listën e votuesve të tij.

Në bazë të numrit të zgjedhësve bëhet dhe ndarja e numrit të tyre për secilin anëtar partie.

Çdo anëtar partie duhet të ketë në patronazh nga 30 deri në 50 votues.

Komunikimi i anëtarëve të PS-së me zgjedhësit konsiston për evidentimin e përkatësisë politike të çdo votuesi.

Komunikimi duhet të jetë i drejtpërdrejtë, ku veç bindjes politike duhet mbajtur shënim dhe një numër telefoni.

Gjatë muajit janar socialistët do të jenë të angazhuar në takimet me votuesit ku do t’u bëjnë me dije ditën, orën dhe vendin ku ato duhet të shkojnë të marrin kartat e tyre të identitetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›