PS e LSI, bashkë për dosjet: Bojkot komisionit të verifikimit
Pas kundërshtimit të ligjit për "dosjet", opozita vendos të bojkotojë komisionin e verifikimit. Ky mekanizëm që pritet të ngrihet në zbatim të nismës ligjore do të funksionojë vetëm me përfaqësuesit e propozuar nga shumica në pushtet. Deputeti i Partisë Socialiste, Marko Bello, konfirmoi dje se "Partia Socialiste e quan antikushtetues këtë ligj dhe ne nuk bëhemi palë me një ligj që shkel hapur Kushtetutën e vendit". Ne, këtë ligj, premtoi funksionari i partisë kryesore të opozitës, do ta ankimojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe do të presimin vendimin e kësaj gjykate. "Madje, nuk do të marrim pjesë në komisionin e verifikimit", u shpreh Bello. Sakaq, zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka qenë dje në të njëjtën linjë me partinë kryesore të së majtës. "Ne jemi ndër ata që shpresojmë dhe do të luftojmë që ky ligj të mund të kthehet, duke ndjekur rrugët ligjore të mëtejshme", nënvizoi Pëllumb Xhufi. Ai sqaroi se Lëvizja Socialiste për Integrim është ndër ato parti që e ka votuar me forcë kundër këtë ligj. "Ashtu siç kemi votuar edhe disa nga ligjet e tjera që kanë kaluar dhe që ne mendojmë që kanë qenë në përplasje të drejtpërdrejtë me demokracinë dhe me parimin e ndërtimit të institucioneve të shëndosha", theksoi Xhufi. Pyetjes nëse do të marrë pjesë LSI në komisionin e verifikimit, Xhufi ju përgjigj se "është një problem, të cilin ne e shohim në një këndvështrim tjetër, në një krah tjetër. Ky është një krah, për të cilin nuk mendojmë që të përgjigjemi, pikërisht sepse e konsiderojmë që është një ligj, i cili nuk është në interes të vendit". Si i tillë, paralajmëroi Xhufi, nuk mund të marrim pjesë në menaxhimin e këtij ligji. Ligji përcakton se për zbatimin e ligjit "për pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve" ngrihet Autoriteti i Kontrollit të Figurave. Autoriteti organizohet dhe funksionon në mënyrë të pavarur, sipas rregullave të përcaktuara në këtë ligj dhe rregulloren e funksionimit. Ai është organ i përhershëm mbikëqyrjeje dhe kontrolli të pastërtisë morale të figurave të funksionarëve publikë. Kjo instancë përbëhet sipas ligjit nga pesë anëtarë, të cilët propozohen si vijon: a) dy përfaqësues të shumicës parlamentare, dy përfaqësues të pakicës parlamentare dhe c) kryetari zgjidhet me konsensus. Anëtarët e Autoritetit miratohen nga Kuvendi. Në rast se vendi i një ose më shumë anëtarëve mbetet vakant për mungesë propozimesh, ose për pamundësi zgjedhjeje, Kuvendi emëron anëtarin përkatës midis të paktën dy kandidaturave të propozuara nga shoqëria civile. Anëtari i Autoritetit duhet të plotësojë kushtet: a) të jetë shtetas shqiptar, b) të ketë arsimin e lartë juridik, c)të ketë vjetërsi pune jo më pas se 5 vjet, d)të mos jetë i dënuar penalisht, e) të mos jetë shkarkuar nga detyra ose të mos ketë marrë masë disiplinore gjatë ushtrimit të detyrës, f) të ketë figurë të pastër morale sipas kritereve të këtij ligji.