PS e PD “pro” unanime për Kodin Civil. Komisioni i Ligjeve miraton një tjetër ligj me shumicë të cilësuar
Në unanimitet socialistët dhe demokratët kanë ngritur duart për të dhënë konsensus për një tjetër ligj me tre të pestat në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Amendimet rregullojnë shpifjen dhe fyerjen si padi civile, bazuar në propozimet e qeverisë, shoqërisë civile dhe në relatimin e deputetes socialiste, Vasilika Hysi. Kodi Civil i ndryshuar është gati për votën e deputetëve në seancën parlamentare të së enjtes. Nisma për Kodin Civil u depozitua në Kuvend në 2007-ën, krahas një ndryshimi në Kodin Penal, si iniciativë e kryeministrit Berisha për dekriminalizimin e shpifjes, me qëllim kryesor zgjerimin e lirisë së medias. Qeveria mbron variantin që shpifja dhe fyerja të trajtohen si padi civile dhe jo penale, një trend që gjykatat po preferojnë sot, çka deri diku ndan palët. Ermonela Felaj, një tjetër deputete socialiste, relatore për Kodin Penal, në emër të forcës së saj politike propozon që nga Kodi Penal duhet të hiqet vetëm dënimi me burg, por jo gjobat. Sidoqoftë kjo është pjesë e debatit teknik e profesional në ditët në vijim, ndërsa grupet e interesit u thirrën në komisionin e ligjeve për seancë dëgjimore për këtë dhe për të tjera ndryshime në kodin penal. Ato që kanë ngjallur interes të madh janë edhe amendamentet kundër dhunës në familje. Deputeti demokrat Viktor Gumi paraqiti së fundmi amendamentet për rreptësimin e dënimit të dhunës në marrëdhënie bashkëshortore ose bashkëjetese. Amendamenti parashikon që dënimi i rrahjes ose llojeve të tjera të dhunës të shkojë deri në 5 vite burg dhe të mos përfitohet falje pa u kryer të paktën 2/3 e dënimit.