E Diel, 1 Nëntor 2026

Tempulli i bektashianëve dhe reforma në arsim, prioritete të 100 vjetorit të pavarësisë

16-02-2012 / Gazeta 55

Gjatë mbledhjes së qeverisë, kryeministri Berisha e ka cilësuar reformën në arsim si dhe ndërtimin e banesave sociale për të pastrehët, si prioritete konstante të ekzekutivit, ndërkohë që ka njoftuar ndërtimin e tempullit për bektashianët, si një nderim për rolin që ky komunitet ka luajtur në themelimin e shtetit shqiptar 

Kryeministri Sali Berisha u ndal dje në mbledhjen javore të Këshillit të Ministrave, në disa nga prioritetet e qeverisë për vitin 2012-ë, në kuadër të zhvillimit të vendit. Kështu, për kryeministrin Berisha, çështje specifike të këtij viti mbeten reforma në arsim, amendimi i ligjit për strehimin si dhe ndërtimi i një tempulli për komunitetin fetar bektashinjtë në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit. Projektligji “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, në vlerësimin e kryeministri Berisha, do të sjellë në reformimin e plotë të këtij sistemi, si dhe autonominë e tij. Ky ligj, për të cilin kryeministri theksoi se vjen pas përpjekjesh të mëdha për të konsoliduar sistemin parauniversitar në Shqipëri, është hartuar mbi bazën e parimeve më të avancuara të arsimit në vendet anëtare të OECD dhe anëtare të BE. “Ky ligj hartohet mbi bazën e parimeve më të avancuara të arsimit në vendet anëtare të OECD dhe anëtare të BE, pasi Shqipëria ka si projekt kryesor integrimin e saj të plotë në BE dhe shndërrimin e këtij vendi në një vend të zhvilluar. Ligji vjen pas përpjekjesh të mëdha për të konsoliduar arsimin paraunivesitar, i cili e vërteta është se pësoi një rënie të ndjeshme, pas përmbysjes së sistemit komunist dhe kolapsit që pësoi sistemi i shkollave të mesme të arsimit bujqësor, sistem i cili ishte 8 deri në 9 herë më i madh, se sa ai i shkollave të përgjithshme. Rënia e këtij sistemi që nuk mund të kishte të ardhme pasi ishte i bazuar tek kooperativat dhe fermat dhe bashkë me rënin e tyre, ra edhe sistemi i shkollave bujqësore  të ngritura në çdo lokalitet të vendit, kështu nga 549 shkolla gjithsej, rreth 500 ishin bujqësore, ndërsa 49 ishin shkolla të mesme të përgjithshme, pra kjo rënie krijoi një problem madhor në shkollimin me shkollë të mesme të nxënësve në Shqipëri. Ky ligj vendos në themel të arsimit parauniversitar standardet më të mira të shkollimit. Ky ligj do të bazojë këtë arsim në dy disiplinat më kryesore, gjuhën amtare, leximin, matematikën. Ky ligj krijon të gjithë prerogativat për një zgjerim të shpejtë të arsimit parashkollor. Edhe ky arsim i një rëndësie të veçante për formimin e nxënësve. Ligji parashikon nxitjen, krijimin, inkurajimin  e ekselencave. Ato janë një mendje  e veçante për të cilën shoqëria , sistemi arsimor duhet të ketë kujdesin e veçante. Ligji i arsimit parauniversitar parashikon standarde të reja për përgatitjen e mësuesve. Ne duhet të bëjmë gjithçka për ta shndërruar mësuesinë në profesionin më serioz të shoqërisë. Për një familje dhe një shoqëri nuk ka asnjë me serioze se sa shkollimi i fëmijëve të tij dhe kjo mund të realizohet vetëm e vetëm tek përgatitja, arsimi, kualifikimi i vazhdueshëm i mësuesve, pasurimi i tyre me arritjet e fundit të dijes, në fushat ku ata mësojnë fëmijët”- u shpreh Berisha. Kryeministri theksoi se prej vitit 2005-ë treguesit arsimorë janë pozitivë, ndërsa ka ardhur në rritje numri i nxënësve që ndjekin shkollën e mesme, pas mbarimit të arsimit të detyrueshëm 9 – vjeçar. “Në një hark kohor të shkurtër, janë arritur disa tregues shumë të rëndësishëm. Vitin e kaluar dhe këtë vit mbi 91 % e të gjithë atyre që mbarojnë arsimin e detyrueshëm , hyjnë në shkollat e mesme. Ky është një nga treguesit më të lartë, ndër më të lartët dhe kjo është arritur pa e shndërruar atë, në arsimim të detyrueshëm, siç ka bërë ndonjë vend. Po këtë vit, 80 % e atyre që hynë në klasat e para, kishin bërë një klasë përgatitore në arsimin parashkollor. Objektivi sigurisht që është më i lartë. Por po punohet me intensitet që edhe ky tregues të kapë mbi 90 % . Janë  bërë përpjekjet për kualifikimin më të mirë të mësueseve, janë ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1200 shkolla dhe vazhdon ndërtimi dhe rindërtimi i shumë të tjerave. Këto të gjitha përbëjnë një bazë solide për ligjin e ri që ne  vendosim sot në qeveri”- tha ai. Njëkohësisht, Berisha garantoi se qeveria do vazhdojë të mbajë në qendër të përpjekjeve të saj, konsolidimin e rolit të ‘mësuesit’, për të harruar vitet para 2005-ës, kur sistemi arsimor ishte në fazë braktisje si nga nxënësit ashtu edhe nga mësuesit. Për Berishën, rritja e rrogave të arsimtarëve mbetet objektivi i qeverisë. “Në vitin 2005, nga ata që mbaronin shkollën 9 vjeçare, vetëm 67 % ndiqnin shkollën e mesme. Vitet e arsimimit “për frymë” ranë nga 11, 3 në 9,2, pra pati një rënie, me pasoja jo të vogla, një braktisje masive të arsimit, veçanërisht nga arsimtarët, për shkak të rrogave simbolike të papërshtatshme për ta. Gjatë këtyre viteve, pikërisht për të rritur dhe konsoliduar sistemin e arsimit parauniversitar janë bërë përpjekje të mëdha. Ne kemi shpallur dhe vazhdojmë të shpallim, “Mësuesi në epiqendër të të gjitha përpjekjeve tona”. Në këtë kontekst, rrogat tyre janë rritur në përqindje, si në asnjë vend tjetër. Shqipëri është ndër vendet e pakta që ka rrogat e mësuesve, mbi mesataren, ndër shkallaren e rrogave. Rrogat janë rritur nga 2006, deri më sot, me rreth 120 %. Kjo ka bërë që nga arsimi të mos largohen më mësuesit. Kjo ka ngjallur konkurrencën dhe ka konsoliduar trupën pedagogjike. Reforma të thella ka njohur botimi i teksteve, shtrirja e internetit në çdo shkollë”- theksoi Berisha. Ndërkaq, duke i mëshuar më tej rëndësisë së këtij ligji, kreu i ekzekutivit shtoi se “ligji i arsimit parauniversitar do të kushtojë një vëmendje dhe rëndësie të veçantë mësimit të dy gjuhëve të huaja”. “Sistemi ynë arsimor duhet të pasqyrojë botën në të cilën jetojmë dhe kjo botë flet vetë, ndaj dhe është e domosdoshme që në sistemin tonë arsimor në përqindje të caktuar, krahas gjuhëve të tjera të mëdha, detyrimisht të jetë si e dytë edhe gjuha kineze. Një mik i imi do të më thoshte se - kur vjen puna për ta folur shqiptarët janë të parët që e flasin më mirë këtë gjuhë-, ndaj dhe le të bëjmë ne përshtatjen me realitetin, të hapet hapësire për gjuhë të dytë spanjolle, italisht, gjermanisht dhe gjuhën kineze, detyrimisht si gjuhë e dytë”.
Gjithashtu, Berisha njoftoi në mbledhjen e qeverisë edhe lidhur me ndërtimin e një tempulli për të gjithë besimtarët bektashinj. Kështu, sipas kreut të qeverisë, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, do të bëhet i mundur ndërtimi i këtij tempulli, për kontributin e dhënë nga komuniteti bektashian në themelimin e shtetit shqiptar. Gjithashtu, qeveria miratoi dhe një fond prej 21 993 000, nga fondi për komunitetet fetare, që përfiton Kryegjyshata Botërore Bektashiane, për financimin e punonjësve të administratës, për ndërtimin e për mirëmbajtjen e objekteve të kultit “Odeoni” si dhe pjesën tjetër për shkak të pozitës së veçantë, si Kryegjyshatë Botërore me qendër në Tiranë, dhe të shtrirjes së veprimtarisë së saj jashtë vendit.
Strehimi i banorëve dhe ndërtimi i banesave, Shqipëria do lerë pas 10 vende/Qeveria shqyrtoi dje projektligjin për “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”, një tjetër nismë kjo e Këshillit të Ministrave për vitin 2012-të. Në vlerësimin e kryeministrit Berisha, përmes këtij ligji do të ridimensionohet roli i qeverisë përkundrejt nevojave të banorëve. Sipas kryeministrit Berisha, roli i shtetit në ndihmë të këtyre banorëve ka ardhur duke u përmirësuar, e kjo nisur pikërisht nga të dhënat në këtë drejtim nga viti 2001, ku kishte pak banesa për 1 mijë banorë, ndërsa sot, raporti banorë-banesa bëri që Shqipëria të linte pas 5 vende të BE-së. “Një ligj tjetër i rëndësishëm amendohet, ligji për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane. Ridimensionohet kështu problemi i detyrimeve të shtetit për strehimin e qytetarëve. Një nga arritjet më të mëdha në historinë e këtij kombi, është shënuar në 10 vjeçarin 2001-2011. Shqiptarët, në vitin 2001, kishin banorë për një banesë ose banesa për 1000 banorë, më pak se të gjithë kombet e tjera në vitin 1980 dhe nuk afroheshin me asnjërin prej kombeve evropiane. Ndërsa nga viti 2001 në vitin 2011, pra në 10 vjet ndërtimi banesave nga shqiptarët është më i madh se i të gjitha kombeve të tjera evropiane, përveç lituanezëve, në 30 vjet të marra së bashku. Shqiptarët, në këtë 10 vjeçar ia dolën të kenë  një banesë për 2,6 banorë ose 381 banesa për 1000 banorë dhe të lënë mbrapa në këtë tregues themelor zhvillimi, 5 kombe anëtare të BE. Megjithë këtë zhvillim, më i vrullshmi që mund të imagjinohej, nëpërmjet këtij ligji, qeveria do të bëjë gjithçka për të lehtësuar strehimin e qytetarëve të këtij vendi, për ta bërë atë gjithnjë e më të mundshëm, gjithnjë e më cilësor”- u shpreh Berisha. Kryeministri i kushtoi një vëmendje të veçantë dhe rëndësisë që kanë për qeverinë ndërtimi i banesave. Sipas tij, ecuria e këtij procesi do bëjë që Shqipëria të lerë pas, jo 5, po 10 vende të tjera. “Hapet një hapësire tjetër për ndërtimin e banesave sociale, në bashkëpunim me ministrinë, por edhe direkt nga autoritet vendore. E vërteta është se me këto ritme ndërtimi është fare  e afërt koha kur Shqipëria të renditet e para, për sa i përket strehimit dhe ndërtimit të banesave, e cila që kur doli njeriu nga shpella, e deri më sot është pasuria e tij kryesore. Pra, do të bëjmë gjithçka që të mundim që ky proces të eci dhe jam i sigurt se është shumë e shpejtë dita që, kur Shqipëria, e cila sot ka kapërcyer 5 kombe vende anëtarë të BE dhe OECD, shumë shpejt do të kapërcejë edhe 10 të tjera së paku, ndaj edhe ky ligj merr një rëndësi shumë të veçantë”- tha më tej ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›