Alibeaj: Shteti, 5 vjet afat për pronat e vjedhura
Erald Kapri
Brenda një periudhë 5- vjeçare, shteti duhet të kërkojë pronat e veta të cilat mund të jenë vjedhur nga zyrtarë apo çdo qytetar tjetër. Këtë afat kanë përcaktuar deputetët e djathtë në Kuvend. Deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj, propozuesi i projektligjit, deklaroi dje se shteti do të duhet t'i drejtohet AKKP-së për rishikimin e çdo prone që pretendon se mund të jetë vjedhur, ndërsa për individët nuk ka asnjë afat të tillë. "Kjo e shtrin veprimtarinë e saj për të gjitha vendimet që janë dhënë deri më sot. Paligjshmëria është paligjshmëri. Ajo çka është risi është se e drejta u jepet si subjekteve private të shpronësuara, pavarësisht se vendimi mund te jetë pozitiv apo negativ, por edhe shtetit. Por nëse subjekteve nuk u lë afat, dhe mund tu drejtohen në çdo kohë, individi duhet të ketë në çdo kohë të drejtën dhe mundësinë t'iu drejtuar organeve administrative. Vendosja e afateve mund të cenonte të drejtët e individëve. Shteti mund të ketë qenë viktimë e grabitjes së pronave në mënyrë të paligjshme. Ka prona shtetërore që kurrsesi nuk mund tu kthehen pronarëve sepse s'ka pasur pronar. Ndërkohë që mund të ketë ndodhur sot me vendime të paligjshme. Shteti penalizohet paksa pasi ka një afat 5 vjet pasi ky ligj të hyjë në fuqi, nga i cili duhet të fillojë një proces filtrimi dhe identifikimi të vendimeve me paligjshmëri dhe provat e veta t'i parashtrojë para agjencisë e cila duhet të vendosë për ligjshmërinë ose paligjshmërinë", tha Alibeaj për televizionin "Klan". Deputeti i PD-së shpjegoi më tej procedurën e rishqyrtimit të një vendimi prone. Sipas tij, AKKP-ja do të ketë 90 ditë afat deri në dhënien e një vendimi, qoftë pozitiv ose negativ. "Deri më tani ka qenë që agjencia e merrte këtë iniciative vetë e pavarur dhe e pështyrë nga ndokush tjetër. Sot me këtë iniciativë që kaloi në Komisionin e Ligjeve përcaktohet qartë që një akt administrativ me shkelje ligjore, do të rishikohet, ky është termi në ligj, atëherë kur ka një pretendent tjetër real që mund të jetë një subjekt privat ose shteti. Kjo do ti hapë rrugë një procesi teknik në Agjencinë e Pronave me afat të përcaktuar që shkon deri në 90 ditë. Me të drejtën e të gjithë personave të interesuar për tu dëgjuar dhe për të dhënë prova dhe duke kënaqur të gjitha pretendimet e të gjitha palëve. Pretendoj se është shkruar në respekt të plotë të Gjykatës Kushtetuese", tha Alibeaj.