PS feston 18 vjetorin me atmosferë fushate
Plot 18 vite me ata që hodhën gurin e parë të themelit për të krijuar Partinë Socialiste dhe sëbashku me ata që vijojnë ta ndërtojnë atë. Festa e 18 vjetorit të krijimit të PS-së, në kulmin e fushatës elektorale, ka përçuar mesazhin e bashkëjetetës mes të vjetërve dhe të rinjve në këtë parti. Namik Dokle dhe Saimir Tahiri ishin dy personazhe të aktivitetit të djeshëm me anëtarë dhe themelues, ku merrte pjesë dhe kryetari i PS-së, Edi Rama në amfitetarin tek kodrat e liqenit. Rama ka prezantuar para të pranishmëve si ish themelues Namik Doklen ndërsa si përfaqësues të të rinjve të partisë, Saimir Tahirin, të dy kandidatë në listën e PS-së për Tiranën. Dokle pasi uroi dje, 18 vjetorin e partisë u bëri thirrje shqiptarëve që së bashku me PS të zgjedhin rrugën e duhur me votën e 28 qershorit. "Duhet ta shmangin Shqipërinë nga rruga e këtyre skandaleve që nuk e afrojnë me Evropën, por e çojnë në Gërdec. Ne e duam Shqipërinë me modelin e Tiranës dhe jo me modelin e Gërdecit", u shpreh Dokle në një fjalë të shkurtër, para pjesëmarrësve në ditëlindjen e PS-së. "Ne duhet t‘i heqim qafe Shqipërisë këtë qeverisje, qeverisjen e Sali Berishës që sot, nëse mund ta japim në gjuhën e koalicioneve politike, është poli i varfërisë, poli i skandaleve, poli i mungesës së perspektivës. Ne këtë pol duhet ta ulim në stol", tha Dokle. Ndërsa Saimir Tahiri u kërkoi socialistëve të të gjithë Shqipërisë që në 28 qershor t‘i tregojnë me votë Sali Berishës se fitojnë dhe dinë të qeverisin vendin. "Unë dua tu falenderoj të gjithëve, vullnetarët, ju socialistët, falenderoj dhe të gjithë ata shqiptarë që si ne këtu kanë arritur që në këto 18 të ruajnë pa na vjedhur shpirtin e demokracisë. Ne në 28 qershor duhet t‘i tregojmë Sali Berishës që dimë t‘i fitojmë zgjedhjet dhe dimë të qeverisimin këtë vend", u shpreh Tahiri. Ndërsa kreu i PS-së, Rama, me një fjalim të gjatë dhe mjaft intensiv përsëriti edhe një herë bindjen e PS-së për fitoren e zgjedhjeve. Rama ka treguar vëmendje të veçantë në prezantimin e kandidatëve për qarkun e Tiranës.