E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhaçka: Berisha është një kalorës i vjetruar në politikë

Kandidatja e radhitur në vend të gjashtë në listën e Partisë Socialiste në Qarkun e Korçës, Olta Xhaçka, rrëfen pse u largua nga lëvizja G99 për të garuar nën siglën e Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme. Ajo tregon edhe vizionin e saj për qytetin e Korçës dhe atë çka duhet të ndryshojë në këtë zonë.

Pse zgjodhët të kandidoni me Partinë Socialiste, ndërsa dukej se këto hapësira i kishit edhe me G99?

Iu përgjigja pozitivisht ftesës që m‘u bë nga Partia Socialiste, pasi ky vlerësim përkoi edhe me dëshirën time. Nuk mendoj se kapërceva nga njëra hapësirë në tjetrën. Përkundrazi, mendoj se vijoj të ec në po atë rrugë, ku bindjet e mia, shkollimi i kryer, kultura e fituar, edukata e marrë apo përkushtimi ndaj vendit tim, përputhen plotësisht. E them me bindje se hapësira ku veproj sot në politikë, nuk më ndan me të djeshmen, se përvoja e fituar nga themelimi i G99-ës e roli im aktiv për shndërrimin e saj në një forcë aktive të politikës shqiptare më kanë ndihmuar mjaft për të përballuar detyrat e problemet që has në veprimtarinë e përditshme. Nëse vullneti i votuesve më çon në Parlament, do vazhdoj të loboj për ato që kanë qenë idetë dhe projektet e përbashkëta me kolegët e G99, me të cilët ndajmë të njëjtin vizion si aleatë të koalicionit për ndryshim.

Çfarë problematikash vëreni në Qarkun e Korçës dhe si mendoni t‘i zgjidhni ato?

Me keqardhje duhet të pohoj se Korça e simbolit patriotik, dallëndyshja e shkollës së parë shqipe, prijësja e kulturës dhe artit bashkëkohor, si dhe modeli i jetesës shembullore, sot përballet me një tablo krejt tjetër. Gjatë viteve të tranzicionit, zonën industriale e zëvendësuan disa punishte artizanati me paga diskriminuese, ndërsa fushën e saj pjellore e zëvendësuan copa ngastrash, prodhimi i të cilave për mungesë tregshitjeje derdhet në lumin e Devollit. U la pas dore zhvillimi i turizmit dhe niveli i arsimimit. Qarku i Korçës, që duhej të ishte më i begati në tërë vendin, tani përballet kudo me varfërinë. Shumica e të rinjve po largohen dhe mjaft fshatra malorë po braktisen. Unë kam bindjen se kjo tablo negative do të transformohet rrënjësisht me ardhjen në pushtet të socialistëve dhe Kryeministrit Edi Rama. Përparësia që do të ketë ky qark në investime dhe prioriteti që do t‘i japim ne bujqësisë, turizmit, shfrytëzimit të minierave, arsimit e shëndetësisë, ndihma ndaj biznesit të vogël etj., do të bëjnë që Korça të renditet në vendin e duhur.

Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e ekipit të PS-së përballë kampit kundërshtar?

Ne po përpiqemi të bëjmë një garë elektorale të ndershme. Kemi një ekip mjaft të mirë dhe po qëndrojmë pranë njerëzve për t‘u bërë atyre të qartë alternativën tonë të ndryshimit. Siç e patë edhe nga mitingu madhështor i javës së kaluar, mbështetja që po marrim kudo është mbresëlënëse, gjë që na bën të ndjehemi në avantazh. Nga ana tjetër, kemi pasur provokime të shumta, dhunim të materialeve promovuese e zyrave elektorale, sulme e dhunë ndaj militantëve tanë në qendrat elektorale, të cilat i faturohen kampit kundërshtar. Në këtë pikë, jemi në "disavantazh".

Çfarë mund t‘i afroni ju qeverisjes së nesërme dhe performancës së partisë suaj?

Përvojën, ndershmërinë e përkushtimin, energjinë që buron nga mosha, por edhe dijet e marra nga një shkollim perëndimor, duke i vënë në shërbim të politikës së re për qytetarët, që refuzon kornizën gjithnjë e më të ngushtë të së vjetrës, në të cilën përfshihen: stanjacioni, mediokriteti, bajraktarizmi, korrupsioni, informaliteti, psikologjia e urrejtjes dhe elementë të tjerë të së vjetrës që deformojnë procesin politik.

Përtej garës elektorale, cilin prej kandidatëve kundërshtarë vlerësoni më shumë?

Jam e bindur se në Partinë Demokratike ka plot të rinj që përpiqen të afirmohen në politikë. Për fat të keq, emrat e atyre që unë mund t‘i vlerësoj, i gjej jashtë listave të kandidatëve për deputetë, ose në një renditje shpërfillëse. Kjo më kristalizon bindjen se Sali Berisha, si kalorës i vjetruar në politikë, parapëlqen vetëm militantë besnikë të një prerjeje me veten. Ata që shtrembërojnë rreshtin apo krijojnë sadopak ilaritet, konsiderohen dezertorë dhe ndëshkohen.

CV

Olta Xhaçka

Ka marrë diplomë bachelor për qeverisje dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Ka marrë diplomë master për administrim publik po në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Angazhohet si pedagoge e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare

Ka qenë themeluese e lëvizjes politike "G99" dhe zëdhënëse politike e saj



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›