E Diel, 1 Nëntor 2026

Spaho: Kandidatët e PS-së në Korçë u provuan, nuk dhanë gjë

Kandidati Edmond Spaho, i 4-ti në listën e PD-së për Qarkun e Korçës shprehet optimist se demokratët do të fitojnë të paktën 7 deputetë më 28 qershor.

Zoti Spaho, pse duhet rivotuar Partia Demokratike në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit?

Partia Demokratike duhet rivotuar sepse ka realizuar të gjitha premtimet që paraqiti para elektoratit në zgjedhjet e korrikut të vitit 2005. Shqipëria sot është e anëtarësuar në NATO, ka aplikuar për statusin e vendit kandidat në BE, pasi reformoi institucionet, luftoi krimin e organizuar dhe korrupsionin. Shqipëria ka pasur rritjen më të lartë ekonomike në të gjithë Europën gjatë katër viteve të fundit, përgjysmoi taksat dhe mblodhi mbi 2.5 herë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit sesa në vitin 2005. Janë dyfishuar pensionet e ulëta në fshat dhe rritur me 50%-70% mesatarisht pensionet në qytet; janë dyfishuar pagat e arsimtarëve, mjekëve dhe infermierëve, duke përfituar rreth 800 mijë pensionistë dhe punonjës të administratës në tërësi. Përmbysje është bërë në investimet publike, duke ndërtuar rreth 6000 km rrugë kombëtare, rurale dhe dytësore, midis të cilave autostradën Durrës-Kukës, Korçë-Qafë Plloçë, Llogora-Sarandë, Gjirokastër-Tepelenë dhe një numër rrugësh të tjera. Gjatë 4 viteve janë ndërtuar ose rikonstruktuar 1012 shkolla, duke rritur ndjeshëm cilësinë e infrastrukturës arsimore në gjithë vendin, u ndërtuan 720 qendra shëndetësore që kanë përmirësuar shërbimin shëndetësor që ju ofrohet qytetarëve, si dhe 1010 ujësjellës dhe sisteme kanalizimesh. Që nga viti i kaluar është shporrur një herë e mirë errësira energjetike.

Si do u përgjigjeshit akuzave se kjo qeverisje ka pasur në këto katër vite shumë konflikte me ndërkombëtarët?

Nuk e di ku i keni gjetur këto, por të anëtarësohesh në NATO, e cila është aleanca politiko-ushtarake më e madhe dhe më e rëndësishme në botë; të aplikosh për statusin e vendit kandidat në BE; të vizitohet vendi nga Presidenti Bush, Berluskoni, Karamanlis etj.; të ftohet Kryeministri për vizitë nga Sarkozi, Merkel; të vizitosh disa herë Brukselin, Kinën, Japoninë; të konsiderohesh vend që prodhon vetëm stabilitet në rajonin e Ballkanit e më gjerë; të kontribuosh me trupa në Bosnjë, Afganistan, Irak dhe Çad, do të thotë që të kesh marrëdhënie më se të shkëlqyera me partnerët ndërkombëtarë.

Cilat janë avantazhet e kampit tuaj dhe disavantazhet e kampit kundërshtar në zgjedhjet e 28 qershorit?

Avantazhi ynë më i madh është mbajtja e premtimeve të bëra në zgjedhjet e vitit 2005. Populli që voton, e ndjen ndryshimin në jetën e përditshme, prandaj do të na mbështesë masivisht për një mandat të dytë, sepse dëshiron që ndryshimi të vazhdojë dhe jeta e tyre të përmirësohet më tej. Kandidatët e paraqitur nga PD-ja në Qarkun e Korçës janë kombinim i figurave qendrore të PD-së me përfaqësues mjaft të shquar lokalë të politikës, administratës dhe botës universitare. Në këtë mënyrë ata ndjehen të përfaqësuar dhe të përfillur. PS flet për politikë ndryshe, por përfaqësuesit kryesorë dhe idetë që ata mbrojnë janë të vjetra. Përfaqësuesit kryesorë të PS-së në listë janë politikanë të cilët elektorati i Qarkut të Korçës i ka provuar disa herë, por ata përveç retorikës nuk kanë qenë në gjendje të japin ndonjë kontribut në zhvillimin e qarkut dhe shoqërisë së tij.

Qarku i Korçës do të dërgojë në Parlament 12 deputetë. Sipas perceptimit tuaj, sa mandate do të marrë PD-ja në këtë qark?

Mendoj se ne do ta thellojmë rezultatin e vitit 2005 dhe do të fitojmë jo më pak se 7 deputetë.

Përtej pozicionimeve të fushatës, nëse do ju duhej të vlerësonit njërin prej kandidatëve kundërshtarë në qarkun tuaj, kush do të ishte ai?

Politikanët që konkurrojnë në qark, vlerësohen për atë që kanë bërë për elektoratin i cili i ka votuar. Disa prej tyre, megjithëse kanë pasur poste ministrore dhe kryeministrore gjatë 8 viteve të qeverisjes së socialistëve, kanë sjellë 10 herë më pak investime në Qarkun e Korçës, se sa në katër vitet e qeverisjes së demokratëve, si dhe e kanë takuar elektoratin vetëm në muajin e zgjedhjeve. Ndoshta kjo bën që disa prej tyre të ndërrojnë zonë kur vijnë zgjedhjet parlamentare. Të tjerët janë të rinj dhe nuk më duket se kanë ndonjë lidhje me Qarkun e Korçës. E.Ajazi

CV

Edmond Spaho

Ka mbaruar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, në vitin 1982

Ka studiuar për Politikat dhe Programimin Financiar në Institutin e FMN-së në Uashington (viti 1992)

Drejtor në Drejtorinë Makroekonomike në Ministrinë e Ekonomisë (1991-1992). Ministër i Turizmit (1993-1994); zv/ministër i Turizmit (1992-1993)

2005 e vazhdim: anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së; anëtar i Kryesisë së PD-së; 2001 e vazhdim, sekretar për Politikat Ekonomike në PD



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›