E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS feston themelimin një ditë para Kolegjit, ftesë dhe Nanos

TIRANE-Me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, kam kënaqësinë t’ju ftoj në ceremoninë festive, që do të organizohet ditën e diel, më datë 12 qershor, ora 19:00, në hotel “Sheraton”. Me kaq rreshta, kryetari i PS-së Edi Rama ka firmosur ftesat që kanë nisur të shpërndahen prej dy ditësh tek të gjithë anëtarët e Asamblesë Kombëtare dhe drejtues në të gjitha nivelet të PS-së. Një grup i posaçëm që po merret me organizimin e ceremonisë së të dielës ka telefonuar çdo të ftuar, për t’i komunikuar se 20-vjetori i PS-së do të kujtohet, pavarësisht situatës së ngarkuar politike. Festa bëhet pikërisht, një ditë para datës 13 qershor, kur pritet edhe vendimi i Kolegjit Zgjedhor për ankesën më të fundit të socialistëve sa i përket rezultatin final për Bashkinë e Tiranës. Pavarësisht, të gjitha situatave që ka kaluar që prej periudhës paszgjedhore të vitit 2009-të, drejtuesit socialistë kanë menduar që të mos e lënë në hije ditëlindjen e partisë, aq më tepër që sivjet mbush edhe 20 vjeç.
Burimet nga PS-ja bënë të ditur se i është dërguar ftesa edhe ish-kryetarit Fatos Nano, ndërkohë që nga punonjësit e aparatit është kontaktuar edhe me telefon, por nuk dihet nëse ai do të jetë i pranishëm në ceremoni, për më tepër pas marrëdhënieve të akullta që janë krijuar mes tij dhe Edi Ramës. Të njëjtat burime thanë se në fillim të ceremonisë do të ketë një fjalë përshëndetëse nga kryetari Edi Rama, sigurisht lidhur edhe me zhvillimet e fundit politike dhe më pas, socialistët do të trokasin gotat e urojnë njeri-tjetrin për festën e partisë, por edhe për një fat të mbarë, të nesërmen që vjen, kur diskutohet mandati i kreut të Bashkisë së Tiranës, në Kolegjin Zgjedhor.
Të ftuar janë edhe aleatët e PS-së, me të cilët ndau betejën zgjedhore, por edhe ish-themelues të partisë, figura të vjetra, si: Servet Pëllumbi, Dritëro Agolli, Rexhep Meidani etj.
Dritëroi i socialistëve, një prej figurave të orëve të para të kësaj partie 20-vjeçare ka ndjekur, gjatë gjithë kësaj periudhe, që prej nisjes së fushatës e aktualisht gjithçka po ndodh me procesin zgjedhor. Me gjithë lutjet dhe kërkesat e vazhdueshme të gazetarëve, Dritëro Agolli ka parapëlqyer të qëndrojë në heshtje, të presë fundin e këtij procesi të stërzgjatur. Herë pas here, edhe shëndeti i tij nuk ka qenë aq i mirë, për shkak edhe të faktit se me sa shqetësim e ka përjetuar gjithë këtë histori të politikës shqiptare, në këtë muaj të fundit. Të dy bashkëshortët Agolli kanë marrë që prej ditës së djeshme ftesat për festën e 20- vjetorit të PS-së, por në varësi të shëndetit të poetit të njohur do të mbetet për tu marrë vendimi nëse do të jenë të pranishëm, pasditen e së dielës në hotel “Sheraton”. Gjithsesi, Agolli nuk ka humbur rast pa i qëndruar pranë PS-së, dhe herë pas herë edhe vetë drejtuesit e kësaj partie nuk kanë nguruar të marrin prej tij edhe këshillat e rastit.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›