E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Vjedhje me Durrës-Kukës

 

JONUZ HALLACI

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vlerëson rëndësinë e rrugës Durrës-Kukës por, sipas tij, me fondet që ka marrë kjo rrugë mund të ishin ndërtuar akset më të rëndësishme të vendit. Kreu i socialistëve gjatë një mitingu në Kukës, në sheshin “Turizmi i ri”, prezantoi kandidatët e qarkut të Kukësit për në Kuvendin e Shqipërisë si dhe platformën elektorale të Partisë Socialiste. Duke u bërë thirrje të pranishmëve për të mbështetur koalicionin e drejtuar nga PS-ja, ai tha se nga ky qark do të dalin tre deputetë socialistë ndërsa nuk la pa përmendur edhe detyrimin që ndjente për komunitetin e qarkut të Kukësit, për t’ju përkushtuar më shumë vëmendje pas datës 28 qershor. Duke u ndalur në ndërtimin e aksit Durrës-Kukës, kreu i PS-së e cilësoi atë si “rruga e kombit” dhe një arterie shumë të rëndësishme që zhvillon vendin por që, sipas tij, kjo nuk mund të justifikojë vjedhjen galopante të realizuar në këtë rrugë. “Askund nuk mund të gjesh një abuzim kaq të madh në emër të interesit të kombit, pasi me vjedhjen, me haraçin e oborrit kryeministror për rrugën kombëtare do të ishin bërë të gjithë rrugët e tjera të rëndësishme të rajonit të Kukësit, si ajo e Shishtavecit, e Hasit, e Bushtricës, etj dhe do të ishin ndërtuar shkolla, ujësjellës dhe shërbime shëndetësore”, tha Edi Rama. “Me haraçin e oborrit kryeministror do të ishte ndërtuar edhe rruga e Arbërit, të cilën do ta ndërtojnë ne, ashtu si Durrës-Kukës do të përfundojmë ne”, vijoi më tej kreu i socialistëve. Rama iu drejtua elektoratit edhe me premtime të tjera, kryesisht për fshatin, duke thënë se në programin e tij dhe të PS i kushtohet vëmendje e posaçme mbështetjes së prodhimit vendës, nxitjes së punësimit, arsim cilësor për të gjithë, libra falas për të varfrit etj, në mënyrë që fshatari shqiptar të barazohet me fshatarin e mesën të Bashkimit Evropian. Sipas Ramës “banorët e rajonit të Kukësit janë zhgënjyer nga politika e 18 viteve të shkuara dhe sot familjet jetojnë në mjerim ekstrem, krahu i punës emigron për mbijetesë, pasi papunësia në rajonin e Kukësit është 58% me e lartë se mesatarja kombëtare, ndërsa varfëria 38% me e thellë se mesatarja kombëtare”. “Prej jush kam mësuar dramën e mjerimit, përpjekjet për mbijetesë, shpresat e nëpërkëmbura gjatë këtyre viteve, prandaj ju bëj thirrje të votoni alternativën tonë për një qeverisje ndryshe, për t’i dhënë fund njëherë e mirë mënyrës korruptive të qeverisjes dhe mjerimit të pafund në një territor që realisht ofron aq shumë pasuri natyrore e njerëzore”, theksoi më tej kreu i PS-së. Në qarkun e Kukësit, lista e PS përmban pesë kandidatë, të kryesuar nga Asllan Dogjani, Fatmir Hoxha, Tatjana Kërxhaliu, Hasije Zeneli dhe Rexhep Ukperaj.

Ruçi takon ish ushtarakët
Kandidati për deputet i PS-së, në Qarkun e Fierit, Gramoz Ruçi, u takua dje me ish-ushtarakë, në kuadër të prezantimit të programit të ri qeverisës. Ruçi ka premtuar se me ardhjen në pushtet të PS-së, të gjithë ish-ushtarakët, ata në lirim apo reformë, do të fitojnë statutin e tyre. Ruçi u ka kërkuar të gjithë të pranishmëve ta nxjerrin në pension me votën e tyre Sali Berishën: “A ka fushë beteje më të madhe, se sa t’i thuash popullit;, o popull, unë Kryetari i PS kandidoj me një program, kandidoj me një alternativë dhe kandidoj për një portofol, atë të Kryeministrit të vendit, që do të qeverisë Shqipërinë në 4 vjet dhe në fletën e votimit do të jetë partia ime, emri im dhe përballë rivalit Sali Berisha?!”.

Korçë, dhunohet zyra e Vashtëmisë
KORÇE - Dhunohet njëra nga zyrat elektorale të PS-së në fshatin Vashtëmi. Një person, në fillim i paidentifikuar, ka shkuar dhe ka hequr forcërisht posterat, parullat dhe flamujt jashtë dhe brenda zyrës elektorale, duke i hedhur më pas në një cep të zyrës dhe e ka kyçur atë nga jashtë. Këtë ngjarje e ka konfirmuar edhe Drejtoria e Policisë e Qarkut të Korçës në një konferencë për shtyp të organizuar në mesditë. Në prani të mediave është deklaruar se ngjarja ishte ndjekur me përparësi nga uniformat blu  dhe ishte identifikuar autori i dhunimit të qendrës elektorale. Sipas tij, shkak nuk është qënia e mjedisit zyrë elektorale, por një konflikt pronësie mes pronarit të objektit dhe pronarit të truallit. j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›