E Diel, 1 Nëntor 2026

PS furnizohet me dokumente anti-ligjore nga metastazat e sigurimit të shtetit

29-09-2012 / Gazeta 55

Reagimi i Ministrisë së Mbrojtjes

Ministria e Mbrojtjes reagoi sërish dje ndaj akuzave politike të Partisë dhe pretendimeve se, struktura e Shërbimit Informativ të Ushtrisë (SHIU) dhe përfaqësuesit e saj, janë armatosur në shkelje me ligjin. Zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Lorisa Ylli u shpreh se, “SHIU nuk ka blerë snajperë dhe kjo për arsye administrative dhe jo për pengesa ligjore”. “SHIU pajiset mbi bazën e Tabelës së Organizimit dhe Pajisjeve, jo ilegalisht, dhe me armatim, i cili është i domosdoshëm për personelin që shkon me mision në teatrin e luftimit”, tha ajo.
Duke reaguar ndaj akuzave për korrupsion ndaj dikasterit të Mbrojtjes, të bëra nga nënkryetari i grupi parlamentar të PS, Erion Braçe, tha se, “lidhur me datën e urdhrit për blerjen e pajisjeve, ai është bërë me datë 1 shtator 2010, kurse urdhri i datës 19 janar 2011, plotëson një nga pikat e urdhrit të mëparshëm sa i përket procedurës”.
Gjithashtu zëdhënësja sqaroi se Urdhri i Kryeministrit për kontrollin e procedurave të import-eksportit të mallrave ushtarake është një fakt tjetër se Ministria e Mbrojtjes, si çdo institucion shtetëror, kontrollohet, por mbi bazën e ligjit. Madje, Ministria e Mbrojtjes, tha ajo, ka kërkuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, megjithëse ishte kontrolluar edhe më parë, të kontrollohej sërish ligjshmëria e procedurave për aktivitetin e sipër përmendur. Ndërkohë ajo sqaroi se Ministri i Mbrojtjes dje nuk ka folur për të korruptuar në Ministrinë e Mbrojtjes, por “për metastazat e Sigurimit të Shtetit në aparatin e saj dhe me qendër në Partinë Socialiste, të cilat nxjerrin e furnizojnë në mënyrë antiligjore dokumentet”. “Rasti i sotëm është një tjetër shembull i keq”, u shpreh ajo, ndërkohë që bëri të ditur se të ardhurat e grumbulluara nga shitja e mallrave ushtarake,  përdoren konform ligjit dhe shpenzimet janë të kontrollueshme. “Ato përdoren për procesin e demontimit të municioneve të tepërta si dhe për modernizimin e Forcave të Armatosura, procedurë kjo e bazuar në udhëzimin e përbashkët ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Financave për përdorimin e të ardhurave të saj”, tha më tej zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Lorisa Ylli.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›