E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pejani që flijoi jetën për lirinë e Kosovës

29-09-2012 / Nga Eden Babani

Në fund të viteve ’90, pata shkruar në gazetën “Bota sot” një artikull për Enver Hadrin, në përvjetorin e dhjetë të atentatit që ndërmori kundër tij UDB-a jugosllave, bash në zemër të Brukselit, si pasojë e të cilit ai humbi jetën, në moshën 49-vjeçare. Asohere, disa prej miqve të mi bashkatdhetarë këtu, në Belgjikë, e këqyrën vëngër shkrimin tim për arsye se, sipas tyre, Enver Hadri i përkiste së majtës politike, kurse unë dhe ata, së djathtës. Të them të drejtën, u dëshpërova pamasë. Jo se shkrova për Hadrin, që, në fund të fundit e shkoi jetën si veprimtar i çështjes kosovare dhe u flijua për të, pavarësisht krahut politik që i përkiste, pavarësisht rrugës që kishte zgjedhur. Sikurse Jusuf Gërvalla, tetë vite përpara, edhe ai ra dëshmor për liri. Më dëshpëroi fakti që fara e përçarjes së emigracionit shqiptar në Europën Perëndimore, mbjellë prej UDB-s jugosllave dhe Sigurimit shqiptar, paskësh lëshuar rrënjë të thella më tepër sesa pata menduar. Më dëshpëroi fakti që ato vazhdonin të prodhonin ende fryte të helmëta. Këto ua shpreha miqve të mi, me kujdesin që të mos i lëndoja në ndjenjat e tyre atdhetare dhe të mos më merrnin për lektor të shqiptarizmit, i ardhur në Belgjikë “pas pilafi”, ndërsa ata e kishin përvetësuar atë leksion më mirë se unë, qysh në vitet e diktaturës, së cilës i patën lënë hijen. Megjithatë, miqtë e mi nuk luajtën nga e tyrja. As unë, nga imja.
Kaluan vite. Qoftë unë, qoftë ata nuk e hapëm më debatin për argumentin në fjalë. Nga ana tjetër, për shkak të pasionit ndaj gazetarisë, unë e shtriva njohjen me bashkatdhetarë, pavarësisht përkatësisë së tyre politike, trashëguar nga e kaluara. Ndërkohë, bindja ime lidhur me referimin e një pjese të mërgatës kosovare ndaj regjimit komunist të Enver Hoxhës, sa vinte, formësohej gjithnjë e më qartë. Sipas meje, shkaqet e referimit ishin të shumta. Propaganda komuniste, nga njëra anë, dhe pavarësia formale e vendit amë, nga ana tjetër, ishin më kryesoret. Përfytyroni gjendjen emocionale të një atdhetari të devotshëm, një pjesë e bashkëkombësve të të cilit përjeton sundimin e huaj, ndërsa pjesa tjetër e ka shkundur me kohë. Përfytyrojeni atë në emigracion, larg vendlindjes dhe larg shtetit amë, rrethuar me tela me gjemba, pa pasur me të asnjë mundësi komunikimi përveç kanaleve zyrtare të kontrolluara nga shërbimet sekrete. Përfytyroni, më në fund, përçapjet për të mbijetuar të një shteti të diktaturës komuniste që i kishte ditët të numëruara, i cili, qysh në krye të herës, e pati ndërtuar ekzistencën e vet mbi përçarjen, nxitur prej një makine propagandistike ndër më të sofistikuar që ka ekzistuar ndonjëherë. Ku do ta mbështesnin kokën ata të varfër që të çmalleshin një çast me lirinë e ëndërruar? Ja si shkruante Enver Hadri poet: “Liria është sukses / oh, ende s’e kam përjetuar... / Ndaj deri në fund / do ta përjetoja / agoninë time”.
Kujtoj sot të ndjerin Fari Panxha, i cili dikur, në vitet që  diktatura komuniste e Enver Hoxhës propagandonte arritjet e “Shqipërisë socialiste, kështjellë e pamposhtur në brigjet e Adriatikut”, pati rënë viktimë e asaj propagande. I ndjeri Fari, siç pandehja, e vuante zhgënjimin në heshtje. Ai kishte një kafe-ASBL në Bruksel. Pas rikthimit në pushtet të ish-komunistëve me “revolucionin e vonuar” të ’97-ës, kur morëm nga sytë këmbët rrugët e Europës, ai na i hapi kat e kat dhe pa shpërblim dyert kafes së vet neve, të PD-së. Aty mblidheshim, aty diskutonim, aty përkujtonim evenimente të demokratizimit të vendit, aty merrnim nisma politike për të ardhmen. Aty përkujtuam edhe ca përvjetorë të rënies së Azem Hajdarit nga plumbat e terroristëve të kuq. Një ditë, tek pija një kafe me të, i ndjeri Panxha më ftoi në depot e kafenesë. Befasinë, nuk e fsheha dot. Në njërën prej depove pashë dhjetëra vëllime të “Vepra“-ve të Enver Hoxhës. Ashtu mendonim, tha. S’kishim asnjë lidhje me shtetin amë, përveç atyre që na frynin në vesh njerëzit e Ambasadës së Shqipërisë në Paris. Ishim viktima...
Po atë ditë, në mos gaboj, pas një mbledhjeje për të përkujtuar themelimin e Partisë demokratike, i ndjeri Fari bëri një fotografi bashkë me ne. Në duar, mbante një foto të Kryetarit të PD-së, Dr. Berishës, ndonëse në opozitë.
* * *
Me këto ndjesi shkova të dielën më 23 shtator në shtëpinë ku jeton familja e Enver Hadrit, në Rue d’ Albanie 23, Saint-Gilles. Asbl Konitza përuroi atë pasdite një pllakë përkujtimore për dëshmorin pejan.
Dëshiroj ta them qysh në fillim se ceremonia e zbulimit të pllakës, si edhe veprimtaritë e tjera ishin paralajmëruar për të shtunën, 22 shtator. Rastësisht, ato përkonin me atë që e kam emërtuar “E Shtuna Shqiptare e Brukselit”, organizuar nga Komuna e Skarbekut. Presidenti i Asbl Konitza, zoti Genti Metaj, pati kurajën qytetare të njoftonte dashamirët shoqatës se veprimtaritë e paralajmëruara prej tij shtyheshin për të nesërmen, që të mos kishte përplasje me nismën e administratës komunale të Skarbekut, sado që Konitza Asbl  kishte marrëveshje me të tretë, si: Lë service Social Juif, Petite Europe Asbl, Democratie plus Asbl. Gjesti i zotit Metaj është për t’u përshëndetur. Sipas meje, ai u parapriu mosmarrëveshjeve që ne, shqiptarët, shpesh nuk dimë t’i shmangim. Aq më tepër kur të dyja veprimtaritë ishin paraparë në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, aq më tepër që ai dhe stafi i tij ishin të pranishëm në evenimentet e Së Shtunës Shqiptare.
Pllaka përkujtimore u zbulua me një ceremoni të thjeshtë,  ku merrnin pjesë shqiptarë me banim në Bruksel e në qytete të tjera të Belgjikës, si edhe banorë të komunës Sain-Gilles, me kombësi të ndryshme. Ishin të pranishëm edhe zotërinjtë Dugolli e Tepelena, përkatësisht ambasadorë të dy shteteve shqiptare, të Kosovës dhe të Shqipërisë. Enkas nga Prishtina, kishte ardhur zoti Ekrem Kryeziu, shkrimtar e filolog, i cili ka lidhje miqësore me familjen Hadri.
Përpara dhe pas ceremonisë përuruese të pllakës përkujtimore, të pranishmit bënë vizitë në mjediset e brendshme të familjes Hadri, ku u pritën përzemërsisht prej familjarëve. Pastaj, veprimtaria u shpërngul në mjediset e Le Service Social Juif. Presidentit Metaj bëri adetet e të zotit të shtëpisë, duke përshëndetur pjesëmarrësit. Zoti Metaj ia kaloi drejtimin e tubimit anglezes mike të shqiptarëve, zonjës Kate Holman, anëtare e Kryesisë së Asbl Konitza. Në vijim, e morën fjalën realizatori belg Gilles Coton, i cili ka në projekt një filmi dokumentar për jetën e Enver Hadrit; Dr. Gjovalin Kola dhe Prof. Ekrem Kryeziu. Më pas, u shfaq filmi dokumentar kushtuar Enver Hadrit, realizuar nga Dr. Gjovalin Kola dhe Shkëlqim Aliaj. Ardhur nga Kosova enkas për ceremoninë, e motra e dëshmorit, zonja Nediha Grapsi – Hadri, falënderoi të pranishmit në emër të familjarëve.
Në mjediset e tubimit, ishte çelur një ekspozitë me vepre të piktorit Artan Balaj.
* * *
Për kureshtje të lexuesit, nënvizoj se në shtëpinë ku u vendos pllaka përkujtimore – Rue d’ Albanie 23, Saint-Gilles - në fillim të shekullit të kaluar, ka pas jetuar Faik Konica. Dëshmori pejan Enver Hadri e bleu shtëpinë, pasi emigroi nga Kosova në Belgjikë, dhe jetoi atje deri më 25 shkurt 1990, ditën që dora e zezë e UDB-s jugosllave e goditi për vdekje, bash në një kryqëzim rrugësh pranë shtëpisë, ndërsa priste në një semafor. Zonja Aisha, e veja e Hadrit, e përkujton me lot në sy atë ditë edhe sot pas më se 22 vjetësh. Vrasja kishte ndodhur aq pranë sa i kishte dëgjuar të shtënat e armës, veç tre-katër minuta pasi e kishte përcjellë të shoqin.
Në fund të tetorit të ardhshëm, gjithnjë në vazhdën e festimeve për nder të 100-vjetorit të Pavarësisë, Konitza Asbl, do të vendosë një tjetër përkujtimore në të njëjtin mur të së njëjtës shtëpi, kësaj here, për të përkujtuar figurën e Faik Konicës, i cili, me të drejtë, mund të konsiderohet si themelues i gazetarisë shqiptare.
* * *
Enver Hadri u lind më 1990 në Pejë, ku mori edhe  mësimet e shkollës fillore e të mesme. Gjatë manifestimeve të vitit 1968 kundër sundimit jugosllav, si pjesëmarrës aktiv në to, u dënua me 7 vjet burg, në mungesë, për çka u detyrua të largohej jashtë vendlindjes e të vendosej në Belgjikë si emigrant politik. Në emigracion, ai nuk pushoi së mbrojturi të drejtat e shqiptarëve të Kosovës, duke ndërhyrë pranë Parlamentit Europian, pranë Komisionit të Europës dhe pranë Kombeve të Bashkuara. Më 1983, Hadri themeloi Komitetin për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut për Shqiptarët e Kosovës. Si rezultat i ndërhyrjeve të tij të herëpashershme, më 22 shkurt 1990, Parlamenti Europian miratoi një rezolutë të ashpër kundër qeverisë jugosllave. Tri ditë më vonë, atentatorët e UDB-s Veselin Vukotiç, Adria Lakoniç dhe Darko Asanin e qëlluan Hadrin me dy plumba në kokë. Dy të paret u vranë shpejt e shpejt nga vetë UDB-a, kurse i treti u arrestua në Greqi. Qeveria belge  kërkoi ekstradimin e tij në Belgjikë, por ministri i atëhershëm i Greqisë, Janis Potakis, ua dorëzoi atë jugosllavëve, të cilët e eliminuan më 1996.
Në vitin 2006, Presidenti Rugova e dekoroi Enver Hadrin me Urdhrin e Artë “Hero i Kosovës”. Tashmë, ka ardhur koha që Enver Hadri, si edhe të tjerë dëshmorë që e flijuan jetën për hir të lirisë e të interesave kombëtare, të zënë vendin e merituar në Altarin e Dëshmorëve të Kombit.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›