E Shtunë, 31 Tetor 2026

“PS, gomone shpëtimi për Berishën”

Themelues të PS-së së Vlorës e kanë cilësuar opozitën e PS-së si gomone shpëtimi Sali Berishën. 

Aristir Lumezi

Disa përfaqësues të një grupi të gjerë socialistësh të vitit 1991 në Vlorë, mes të cilëve Tare Himo, Niko Veizi, Agron Metaj, Marika Çakërri, Platon Arapi kanë zhvilluar një takim me kreun e LSI-së Ilir Meta ku mbështetën pozicionin realist të LSI-së në opozitë bërje dhe kanë akuzuar PS aktuale se nuk po përfaqëson interesat e socialistëve. "Opozita shqiptare e udhëhequr nga PS është opozitë fiktive 'e trukuar', e cila nuk përfaqëson interesat e mijëra socialistëve të vërtetë, që kanë sakrifikuar e janë dhunuar nga pushteti i Berishës. Ajo është kthyer në parti interesash "përtej të majtës e të djathtës" siç perifrazoi lidershipi i saj", shprehet në një deklaratë për shtyp grupi i socialistëve. Sipas tyre, opozita që po bën PS është gjithnjë e më shumë në mbështetje të qeverisë së dështuar të Sali Berishës. "Me mjetet e saj politike ajo po bëhet gjithmonë e më shumë bashkëpunuese dhe 'gomonia në rrezik, e Sali Berishës'". Në takimin e tyre me kryetarin e LSI-së Ilir Meta, grupi i socialistëve të Vlorës, konkluduan të dalin me një memorandum politik bashkëpunimi mes tyre dhe LSI-së e koalicionit të drejtuar prej saj "E majta për Integrim". "Afrimi dhe bashkimi në të majtën shqiptare i të gjitha figurave kontribuuese duke lënë pas çdo qejf mbetje apo gabim të së kaluarës, do të jetë në qendër të këtij bashkëpunimi. Ne do të kontribuojmë si pjesë integrale e së majtës së bashkuar me qëllimin e vetëm që të gjithë votat e të majtës të shërbejnë për kthimin e saj në pushtet", shprehen socialistët e Vlorës. Duke bërë një pasqyrë të asaj që po ndodh brenda shtëpisë së PS-së, grupi i socialistëve të Vlorës, shprehet se PS po largohet gjithnjë e më shumë nga idealet e themeluesve të saj. "Në jetën e brendshme të saj, PS po largohet gjithmonë e më shumë nga demokracia dhe vendin e kontribuuesve dhe themeluesve po e zënë njerëz me interesa të përafërta me pushtetin. Selia e PS, shtëpia e socialistëve të vërtetë qëndron e mbyllur dhe pa asnjë aktivitet politik. Aq dramatike është kjo gjendje sa dhe fushata zgjedhore e shpallur disa herë, po kaq herë është anuluar për mos pjesëmarrje dhe indiferencë të anëtarëve të PS-së, të cilët çdo ditë e më shumë po i humbasin shpresat për kthimin e PS në pushtet", shprehen ata në deklaratën e tyre. Ata vlerësojnë se "e vetmja forcë politike opozitare e vërtetë është e majta e bashkuar dhe lideri i saj zoti Ilir Meta". Duke parë këtë gjendje brenda PS por dhe të majtës shqiptare, grupi i socialistëve të Vlorës, kërkojnë që "lufta politike e të gjithë faktorëve duhet të konsistojë në bashkimin në një front të përbashkët opozitar dhe dalja me një sigël të vetme në zgjedhjet e vitit 2009". Pritet që në ditët në vazhdim memorandumi i bashkëpunimit mes këtij grupi të gjerë socialistësh, pjesa më e madhe e tyre themelues të PS-së, t'i bëhet e njohur të gjithë socialistëve të qytetit të Vlorës, por dhe forcave të tjera të majta në këtë qytet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›