E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, grup për kriteret e kandidatëve të Gjykatës

Partia Socialiste ka njoftuar se ka ngritur grupin e punës për përcaktimin e kritereve për kandidatët për anëtarë të Gjykatë së Lartë.

Para dy ditëve presidenti dërgoi një letër gjithë partive politike ku u kërkoi propozimet e tyre për kandidatët të cilët do të konkurrojnë për anëtarë të Gjykatës së Lartë

“Ne nuk jemi në garë me PD-në për të çuar kriteret sa më shpejt por kemi ngritur grupin e punës i cili do të punojë për hartimin sa më të drejtë të kritereve” – tha Valentina Leskaj, kryetare e Grupit të PS-së. Sipas saj këto kritere do të jenë të bazuara në ligj dhe kushtetutë.

Ndërkohë kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi ka thënë që kriteret e vetme për kandidatët e Gjykatës së larte  janë profesionalizimi dhe paanësia ndaj politikës. Ai i ka cilësuar kriteret e PD-së provokative dhe jo të bazuara në ligj.

Partia Demokratike i ka çuar propozimet e saj që dje lidhur me dekretet për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Menjëherë pas letrës së kreut të shtetit drejtuar partive parlamentare, kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi është përgjigjur po përmes një letre, drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Presidentit, Aleksandër Flloko.

Në letrën e tij, Patozi shkruan se, “grupi parlamentar i Partisë Demokratike mendon se, përveç kërkesave ligjore, kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë duhet të përmbushin edhe disa kërkesa të tjera.

Ne besojmë se respektimi i këtyre kritereve do të justifikonte besimin e institucioneve që përzgjedhin dhe miratojnë për meritën e secilit nga kandidatët”.

Pikërisht për këtë arsye, Patozi përmes letrës, sqaron se grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të kërkonte nga kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë që: të mos kenë marrë pjesë gjatë karrierës së tyre në procese politike; të mos kenë favorizuar apo ndihmuar gjatë hetimit dhe gjykimit, individë ose anëtarë të organizatave kriminale; të mos jenë përfshirë në dhënien e vendimeve gjyqësore në konflikt interesi; të kenë bërë transparente dhe ta kenë të justifikuar pasurinë e tyre. Emërimi i anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, pas rrëzimit në Kuvend të pesë dekreteve të Presidentit, do të kalojë përmes asistencës së posaçme të një grupi ekspertësh, i ngritur me propozim të Kreut të Shtetit.

Ky i fundit, përmes një letre zyrtare të përcjellë nga Sekretari i Përgjithshëm i Presidentit, Aleksandër Flloko, u kërkoi partive politike që të paraqitnin propozimet e tyre lidhur me rritjen e kërkesave, veç atyre ligjore, të cilat kandidatët duhet të përmbushin për t’u përzgjedhur për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë. Partia Demokratike është forca e parë politike që iu përgjigj zyrtarisht kërkesës, ndërkohë që të njëjtën gjë duket se po gatit edhe Partia Socialiste, zyrtarë të së cilës u shprehën dje se po e merrnin në shqyrtim përmbajtjen e letrës së dërguar dy ditë më parë nga presidenti Bamir Topi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›