PS hap debatin e shtyrjes së zgjedhjeve të 28 qershorit
Opozita nuk do të njohë zgjedhjet 28 qershorit si të lira dhe të ndershme, nëse qytetarët nuk do të pajisen me karta identiteti. Bashkëkryetari socialist i komisionit ad hoc për infrastrukturën zgjedhore, Kastriot Islami, tha dje se me ritmet e deritanishme të aplikimit të qytetarëve me karta identiteti situata është tërësisht e pashpresë, pasi nuk kanë aplikuar për kartë identiteti 80% e qytetarëve që s’kanë pasaportë. Duke e konsideruar si të mirëqenë se mazhoranca po kërkon të manipulojë në kurriz të fitores së PS procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, Islami tha dje se PS nuk do të lejojë që fitorja e PS më 28 qershor të rrezikohet pikërisht nga mospajisja me karta identiteti. Ai tha gjithashtu se PS është e interesuar që zgjedhjet të kryhen më 28 qershor, duke hapur kështu një debat për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve për shkak të procesit të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. “Ripërsëris qëndrimin dhe kërkesën për heqjen e taksës së votimit dhe për të mos luajtur me indiferentizmin, që po shkatërron elementin kohor dhe po ezauron kapacitetet. Zgjedhjet do të jenë konform standardeve ndërkombëtare, vetëm nëse të gjithë votuesve u garantohet e drejta e votimit, që sipas Kodit Zgjedhor sigurohet vetëm me pasaportë e letërnjoftim elektronik. PS në asnjë rast nuk do të lejojë ndryshimin e fitores së saj më 28 qershor 2009, përmes manipulimit selektiv me kartat e identitetit; PS ka kërkuar dhe është krejtësisht e përgatitur dhe e vendosur për të zhvilluar zgjedhjet më 28 qershor 2009”, - tha Islami. Pas mbledhjes së komisionit ad hoc për infrastrukturën zgjedhore, Islami deklaroi dje se situata po përkeqësohet dhe rreziku po rritet në kuptimin e ezaurimit të kapaciteteve teknike për pajisjen me karta identiteti të votuesve pa pasaportë.
Deklarata
Islami komentoi dje informacionin e ardhur nga Ministria Brendshme të martën që shkoi, në të cilin situata, sipas Islamit, paraqitet akoma më e rëndë se pak kohë më parë, sa i përket mundësisë së pajisjes së qytetarëve pa pasaportë me karta identiteti. Ai tha se nuk ka më kohë fizike për të bërë të mundur përfundimin e procesit brenda afateve, pasi deklaroi se edhe për vetëm pak ditë, ndoshta 4-5 ditë dhe mund të flasim për pamundësi të realizimit të pajisjes së qytetarëve pa pasaportë me karta identiteti. Sipas PS, deri në datën 6 prill janë kryer 159 000 aplikime nga votuesit pa pasaportë ose vetëm rreth 22% e numrit prej 730 mijë të votuesve pa pasaportë, ndërkohë që nga të dhënat që paraqet PS, ky numër është më i lartë dhe mbetet për t’u saktësuar. “Mbeten nga shifra 730 mijë për të aplikuar edhe 570 mijë votues pa pasaportë ose rreth 80% e tyre; ose më shumë se 730-mijëshi rezulton i rritur; numri total i kartave të tërhequra nga votuesit pa pasaportë dhe me pasaportë është vetëm 95 mijë, ndërkohë që i atyre pa pasaportë nuk jepet ende nga Ministria e Brendshme, por me siguri nuk do ta kalonte shifrën 35 mijë ose rreth 4.7% e votuesve pa pasaportë. Situata është më e rëndë, nëse analiza bëhet për çdo njësi të gjendjes civile. Nga informacioni rezulton se janë vënë në punë 410 poste aplikimi; por në realitet në 62 prej tyre kanë aplikuar zero votues, në 40 prej tyre ka aplikuar vetëm një votues dhe në 152 prej tyre kanë aplikuar nga 2-15 votues. Pra, në 252, prej 410 posteve të aplikimit ose në 62% të rasteve aplikimi mund të thuhet se nuk ka filluar ende. Më keq situata paraqitet me aplikimet për votuesit pa pasaportë. Në qarqet e i) Dibrës vetëm 4,2%, ii) Elbasanit vetëm 14,2%, iii) Vlorës vetëm 18,5% etj. Kurse në rrethet i) Dibrës 6,2%; ii) Matit 3,5%; iii) Bulqizës më pak se 1%; etj. Në 50 njësi të gjendjes civile është e pamundur që kjo detyrë të kryhet deri më 12 qershor 2009 dhe deri tani nuk ka asnjë masa shtesë nga MB”, - tha Islami. Ai përsëriti kërkesën e PS për pajisjen e disa kategorive të popullsisë me karta identiteti falas, duke përfshirë këtu, jo vetëm romët, por edhe komunitetin egjiptian, 92 mijë familjarët në asistencë, 150 mijë pensionistët në fshat, 100 mijë persona me aftësi të kufizuara, 30 mijë invalidët, që po ashtu nuk do të kishin mundësi ta përballonin këtë taksë të votimit. 20 mijë të tjerë që jetojnë me të ardhura të papunësisë, që do të bënin pjesë në grupin më vulnerabël të votuesve pa pasaportë.