Pranga për gjobëvënie dy personave
Policia e Gjirokastrës ka bërë të mundur arrestimin në orët e para të mëngjesit të dy personave, Bashkim Dushi 60 vjeç dhe Julian Gjinaj 31 vjeç.
Këta shtetas, sipas deklaratës zyrtare të policisë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet presionit, i kanë kërkuar një shtetasi me detyrë doganier në pikën doganore të Kakavijës, që të paguajë një shumë prej 1500 eurosh kundrejt mospublikimit të një materiali filmik komprometues që pretendonin se ia kishte bërë këtij doganieri një shtetas me inicialet E.D.
Pas ndalimit, personave në fjalë u është sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma prej 1500 eurosh, ndërkohë që është shpallur në kërkim shtetasi tjetër, E.D., i cili dyshohet të jetë i implikuar në ngjarje dhe që është me detyrë gazetar në emisionin “Fiks Fare” në “Top Channel”.
Nisur nga sa më sipër, “Top Channel” nga ana e tij distancohet nga çdo veprim antiligjor për përfitim personal të shtetasve të mësipërm dhe garanton integritetin dhe seriozitetin e emisionit “Fiks Fare” dhe televizionit përpara publikut.