Prostitucioni, Kosova dëbon çdo ditë një vajzë nga Shqipëria
Për periudhën nga janari deri në dhjetëditëshin e dytë të marsit janë kthyer nga Kosova më shumë se 70 femra të Shqipërisë, të cilat në tërësi policia e Kosovës i motivon “për mungesë dokumentesh”. Sipas burimeve të policisë së Kukësit, e cila merret me të gjithë personat e deportuar, kthimet ndodhin çdo ditë, sipas rasteve, në grupe të vogla apo në grupe të mëdha. Inspektorati i Lartë i Punës në Kosovë, të cilit i vishen në tërësi “kthimet e padëshiruara”, ka paralajmëruar, siç mësohet, të gjitha subjektet e biznesit në Kosovë të pajisin me kontrata të rregullta pune çdo punëtor dhe në këtë kuadër një numër femrash që kanë punuar “në të zezë” dhe për më keq janë shfrytëzuar për prostitucion, ndodhen tashmë të ekspozuara dhe kështu kthehen nga kanë ardhur. Policia e Kosovës, siç janë shprehur në jo pak raste drejtues të këtij dikasteri, ka vlerësuar se një pjesë e mirë e femrave që kanë udhëtuar nga Shqipëria në Kosovë shfrytëzohen seksualisht. Një shqetësim të tillë e ka formuluar edhe policia e Shqipërisë, madje në disa raste për këtë ka pasur edhe persona të penalizuar. Femrat e deportuara nuk flasin hapur para policisë dhe në tërësi tregojnë se gjithçka e kanë bërë dhe e bëjnë me vullnet, por nuk harrojnë të venë në dukje varfërinë në vend, mungesën e alternativave. “Këtu s’ka punë, s’kemi ç’bëjmë” thonë.
Përpara një jave, policia e Kosovës dorëzoi në Doganën e Morinit një grup prej 12 vajzash të reja, të cilat u gjetën pa dokumente të rregullta pune. Dy ditë më parë, të njëjtin fat e patën dy-tre tjera, përkatësisht nga Lezha dhe nga Mirdita, të cilat posedonin pasaporta të rregullta por që, siç kanë treguar vetë, janë dëbuar nga Kosova për mungesë të kontratave të punës. Ato janë mbajtur për njëfarë kohe në Komisariatin e Kukësit, nga ku më pas janë shoqëruar drejt shtëpive të tyre. Gjatë marrjes në pyetje, dy vajzat 37 dhe 39 vjeçe kanë pranuar faktin se prej vitit 2003 kanë punuar në Kosovë si këngëtare të bareve të natës, duke plotësuar edhe dëshira të tjera të klientëve, por nuk kanë pranuar që ndaj tyre të jetë ushtruar presion.
Qindra femra nga Shqipëria, krahas të tjerave nga vendet e Lindjes, punojnë në lokale të ndryshme në Kosovë, ku shfrytëzohen për prostitucion. Në vitet ‘90 dhe fillimin e viteve 2000 rrugët e emigrimit dhe linjat e trafikut të qenieve njerëzore kanë qenë të orientuar, siç komentohet, nga Italia dhe Greqia, por moratoriumi i skafeve dhe kriza greke kanë bërë që Kosova të shihet si zonë e mundshme për trafik. Së pari si trampolinë për të depërtuar nga Kosova në Slloveni, por një pjesë e kontingjentit shfrytëzohet në Kosovë. Mësohet se qeniet e trafikuara dëfrejnë së pari mijëra të huaj që ndodhen aty me punë nga organizmat ndërkombëtare dhe që marrin rroga të majme, siç thuhet, në krahasim me administratën vendase.
Dëbimi i më shumë se 70 vajzave nga Shqipëria në më pak se tre muaj flet për një dukuri shqetësuese sociale dhe për një keqësim të ekonomisë së familjeve në vend. Numri i të kthyerave gjatë këtyre muajve është sa dyfishi i numrit të të kthyerve për të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. Ky numër përbën vetëm një përqindje të vogël të femrave që nëpërmjet kufijve tokësorë nga Sllovenia hyjnë në vendet e Perëndimit.
#