Withers: Sesioni plenar i 18-19 marsit ishte i padobishëm
Një ditë pas deklaratave të ashpra të Brukselit për krizën politike në Shqipëri ka reaguar edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Përmes një njoftimi për shtyp shprehet keqardhje për zhvillimet e fundit politike teksa kërkohet me insistim një zgjidhje e ngërçit. E njëjta linjë kjo me atë çka kërkoi dy ditë më parë ambasadori i Spanjës në Tiranë, vendi që kryeson presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Por, përtej këtyre mesazheve, duket se klasa politike është e vendosur të vijojë konfliktin dhe ndarjen në dy llogore. Opozita frekuentoi sallën e Kuvendit për pjesën e diskutimeve jashtë rendit të ditës dhe më pas e la atë për të vazhduar atë çka e cilëson marrëdhënie të kushtëzuar me organin legjislativ.
SHBA“Kemi ndjekur me kujdes diskutimet në Parlament mbi situatën politike shqiptare. Shprehim keqardhjen që deri më sot nuk është arritur asnjë zgjidhje për krizën e tanishme”, thuhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë nga ambasada. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nxisin të gjitha palët të vazhdojnë të punojnë brenda Parlamentit për të zgjidhur dallimet që kanë me anë të dialogut dhe kompromisit. “Toni i diskutimeve duhet të përqendrohet mbi gjetjen e pikave të përbashkëta dhe jo mbi arritjet partiake”, theksohet në deklaratë. Ambasadori amerikan, John Withers, thotë se ndan shqetësimet e kolegëve të OSBE-së dhe Bashkimit Europian se sesioni plenar i 18-19 marsit ishte i padobishëm. “Veprimet e njëanshme nga cilado palë nuk mund as të zgjidhin ngërçin aktual dhe as të çojnë përpara axhendën euroatlantike të vendit”, u shpreh Withers në njoftim.
BrukseliDy ditë më parë, ambasadori spanjoll në Tiranë, Manuel Montobbio, në emër të vendeve të Bashkimit Europian shprehu gjithashtu keqardhje që nuk është bërë e mundur të zgjidhet kjo krizë politike deri tani. Montobbio gjeti rastin të shprehë shqetësimin për koston që kjo situatë ka dhe mund të krijojë për Shqipërinë. “Njëkohësisht do të donim të shprehnim një dëshirë të orientuar nga e ardhmja, pra që të trajtohet kjo sfidë në mënyrë konstruktive brenda shpirtit të Bashkimit Europian, ashtu siç tha edhe zoti Fule në deklaratën e tij. Pra të mund të arrihet në Parlament një ligj për të cilin të jetë rënë dakord nga palët mbi ngritjen dhe kompetencat e komisionit hetimor mbi zgjedhjet e kaluara bazuar te Kushtetuta dhe transparenca”, theksoi Montobbio. Ashtu siç e theksoi edhe komisioneri Fule të premten e kaluar, vijoi ai, mazhoranca dhe opozita janë përgjegjëse, të dyja palët pra janë të nevojshme e të domosdoshme dhe ne u bëjmë thirrje të dyja palëve të arrijnë këtë marrëveshje.
#