E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputeti Sula shpërndan ndihma për Vitin e Ri

 

Deputeti i Peqinit, Dashnor Sula, ka shpërndarë dje rreth 400 pako me ndihma për familjet në nevojë dhe për jetimët. Për të pestin vit radhazi deputeti demokrat shpërndan ndihma me rastin e festave të fundvitit. Në një prej lokale të qytetit është zhvilluar dje një kokteil me fëmijët jetimë dhe më pas janë shpërndarë edhe ndihmat. Kryetari i degës lokale të shoqatës së jetimëve Lulzim Resuli, tha se në prag të festave tradicionale të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri shpërndarja e ndihmave ushqimore do të zbusë varfërinë ekstreme në të cilën jetojnë jetimët e rrethit të Peqinit. Nga ana e tij, deputeti Sula ka theksuar se “familja e tij e ka në traditë shpërndarjen e ndihmave për familjet e varfra dhe këtë e bën sa herë që ka festa popullore, qofshin këto edhe fetare”. Për këtë kategori njerëzish në nevojë familja Sula kishte përgatitur pako me ushqime të të gjitha  llojeve, të cilat shoqëroheshin edhe me nga një koli me pije freskuese. Në total ndihmat e shpërndara nga deputeti i Partisë Demokratike në prag të festave të fundvitit kapin vlerën e 10 mijë dollarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›