Mjeda, poeti e arkitekti me raso të zezë
Alma Mile
Nuk na ka lënë vetëm “Andrrën e jetës”, apo të “tretunin”. Mjeda nuk ishte vetëm poet, apo famullitar. Pas rasos së zezë dhe shpirtit lirik fshihej edhe arkitekti e skulptori. Gjurmët i ka lënë në Kukël, në fshatin ku shërbeu si famullitar për vite me radhë (1906-1930). Projektet e kishës e qelës u ideuan nga vetë ai, ndërsa muret janë zbukuruar me figura që i ka gdhendur në allçi. Janë figura të mitologjisë ilire e kishtare, të cilat Mjeda i njihte mirë si poet që ishte. Fshati Kukël–fusha e Zadrimës, shtrihet në afërsi të Gjadrit që administrohet nga Komuna e Bushatit. Ka 85 shtëpi dhe 443 banorë, ndërsa gjatë viteve të fundit janë shpërngulur 11 familje. Kur mbërrin në Kukël është e lehtë të drejtohesh kah shtëpia e Zotit, por edhe tek ajo e Mjedës. Në atë fshat malor, nuk është e vështirë të shquash ndërtesën me kolonat e stilit grek e me germa të gdhendura në latinisht. Por, jo më pak e dukshme është edhe shtëpia e Mjedës. Pas një kopshti me pemë të gjelbra, shfaqet një ndërtesë dy katëshe, dy palë shkallë që qarkohen bukur deri në portën e katit të dytë, me gdhendje plot finesë e një këmbanë të vogël, që njofton mysafirët. Sot në kishë të pret Dom Nikë Ukgjini, i cili shërben aty prej vitit 2005, ndërsa shumë vite më parë ishte poeti, që drejtonte aty punët e perëndisë, por edhe bënte letërsi. Kisha u ndërtua në vitin 1913, kushtuar Shën Shtjefnit, Martirit të parë, ndërsa banesa e vjetër (qela) në vitin 1909. Kisha është e stilit romano-gotik, ndërsa banesa stilit austro-hungarez. Ndërtimi i këtyre dy objekteve u financua aso kohe nga qeveria austro-hungareze. Mjeda i njihte mirë motivet e mitologjisë ilire, greke e romake. Disa syresh i ka përdorur në fasadën e ndërtesave të projektuara nga ai. Në ballinën e shtëpisë është koka e kurorëzuar e Baçhus-it(Bahti), martirit sirian të shek. IV., ndërsa në të majtë është Labeatia, (basoreliev i emblemës së një prej fiseve ilire). Mësohet se këto skulptura poeti i ka gdhendur në allçi e pastaj i ka derdhur në çimento. Këto dy skulptura të Mjedës kanë ardhur deri në ditët tona të ruajtura fare mirë, të vendosura në fasadën ballore të ndërtesës në hyrje të katit të dytë. Vetëm skulptura e Baçhusi-it është dëmtuar pak gjatë ndërrimit të çatisë. Sipas Dom Nikës, nderimi i shenjtëve sirianë Baçhus dhe Sergius është i njohur edhe në zona përreth, si në kuvendet dhe abacitë në Plevalitan dhe Sergius. Por fati i shenjtorëve në Shqipëri, nuk qe i njëjtë si në objekte të tjera kulti të shpërndara në Ballkan e Evropë.
Kisha e Kuklit, prej vitit 1967, kur u mbyllën të gjitha objektet e kultit, deri në vitin 1990 ka shërbyer si depo armesh, ndërsa banesa për një kohë si shkollë, pastaj si shtëpi banimi për familjarët. Kati i dytë i banesës, më 25 nëntor 1982 u kthye në shtëpi muze, kushtuar Ndre Mjedës. Në të kanë qenë të sistemuara botimet e Mjedës, objekte të ndryshme nga koha e tij, si shtrati, skrivania e relike të tjera, pastaj disa nga veglat e punës për përpunimin e tokës etj... Ky muze në vitin 1991 u mbyll dhe inventari i saj u transferua në muzeun historik në Shkodër. Shtëpia u la në mëshirën e fatit të kohës, deri më ardhjen e Urdhrit të vëllezërve të Nënë Terezës, të cilët u morën me mirëmbajtjen e shtëpisë, duke bërë ca riparime. Fatkeqësisht këto ndërtesa, ku ruhet një pjesë jete e një prej poetëve tanë më të mirë, ku ruhen dëshmi të figurës së tij të gjithanshme, nuk ka asnjë lloj statusi, që të mund të përfitojë mbrojtjen e shtetit. Nuk është monument kulture dhe nëse jeton deri sot, vetëm falë dashamirësisë së komunitetit katolik. Famullitari i tanishëm i Kuklit, Dom Nika, shpreh dëshirën që Kisha dhe banesa të shpallen sa më parë monument kulture dhe të rikthehet shtëpia muze, në mënyrë që ky vend të bëhet qendër i një pelegrinazhi mbarëkombëtar. Prej tij mësojmë se për të nderuar dhe evidentuar veprimtarinë e Mjedës, gjatë këtij viti është formuar Fondacioni Ndre Mjeda me qendër në Shkodër. Mësohet se këto ditë kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për fillimin e realizimit të një filmi dokumentar kushtuar Mjedës, me skenar të studiuesit të njohur të Mjedës, dr.Mentor Qukut, regji të Gjovalin Gjonit dhe producentit dom Nikë Ukgjini.