E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja, operacion për të kushtëzuar psikologjikisht Kolegjin Zgjedhor

30-05-2011 / Nga Shqipe Xoxi

Rikthimi i Megi Ajtyresës në konferencat zyrtare për shtyp të Partisë Socialiste do të thotë një rikthim në rutinë të politikës opozitare. Është një sinjal i qartë që ditët e ardhshme do të kemi plot akuza për manipulime, për falsifikime, e ndryshime të rezultatit në tavolinë. Violina socialiste luan partiturën e mërzitshme të “krimit elektoral” sa herë humbin zgjedhjet. Litania dy vjeçare socialiste s’ka të sosur sepse ajo është kthyer në një obsesion politik.
Në emër të Partisë Socialiste, Ajtyresa i kërkoi Kolegjit Zgjedhor të vendosë drejtësi, ndërsa nga prokuroria kërkoi ndëshkimin e falsifikatorëve të zgjedhjeve. Kjo është e vetmja rrugë që duhet të ndjekin institucionet se përndryshe “revoltat popullore” do të “marrin në dorë fatet e popullit”. Këto kërcënime janë të drejtuara për të kushtëzuar vendimin e Kolegjit zgjedhor dhe hapja e shtegut për të gjetur alibinë e radhës, në rast të një vendimi tjetër. Kombinati mediatik PS-së, me komentatorët e saj analistë, po kërkon ta amplifikojë vendimin e Kolegjit Zgjedhor sikur të ishte “Dita e Gjykimit”, kur në të vërtetë shqyrtimi i padisë socialiste është mbi procedurën e ndjekur nga KQZ-ja mbi leximin e vullnetit të qytetarëve të shprehur me votë.
Sakaq amplifikimi i një vendimi të mundshëm sikur të ishte beteja e gjithë  drejtësisë dhe të gjitha padrejtësive në këtë vend tenton të japë mesazhin fals të korruptimit të sistemin në rast se nuk merret parasysh padia socialiste. Është një operacion shumë i rafinuar presioni, që kërkon të kushtëzojë publikisht me thirrje publike duke iu bërë tetë anëtarëve të Kolegjit zgjedhor të gjithë biografinë, sikur të ishim në një regjim. Kjo formë presioni është shumë e shëmtuar, sepse bazohet në premise të gabuara. Premise e gabuar është se KQZ-ja ka gabuar dhe Kolegji duhet të bëjë Drejtësi, se përndryshe i gjithë sistemi është i kompromentuar. Nuk ka asgjë më të pasaktë se premisa që KQZ-ja ka gabuar përpara se të vendosë Kolegji. Mënyra shtinjake për t’u thënë atyre se keni përgjegjësi të mëdha, se kanë në dorë të gjithë sistemin e drejtësisë me këtë vendim, do të thotë se më për para këta Gjykatës s’kanë qenë të përgjegjshëm dhe s’kanë pasur integritet, dhe në qoftë se e duan këtë integritet mund ta marrin me një vendim pro-Ramës. Loja për kushtëzuar psikologjikisht vendimin e trupës së Gjykatësve me shkrime dhe kronika ku u bëhet jetëshkrimi profesional është atentati më i dukshëm që i bëhet sistemit të Drejtësisë në vend.
Ky operacion presioni dhe kushtëzimi zhvillohet përditë, më zë dhe figurë. Kombinati i medias flet për  mundësitë që ka pushteti i “Saliut” për t’i bërë presion Kolegjit me policë dhe para, ndonëse janë pikërisht ata që po mësyjnë, me gjithë shtinjakërinë e tyre ndaj gjyqtarëve, duke u bërë përditë thithje publike për të vënë në vend drejtësinë nëpër media e tyre, çka për ta do të thotë një vendim në favor të Ramës, përndryshe ka për të pasur “revolta popullore”.
Si do që të jetë rikthimi i bojkotit Parlamentar, i bllokimit të rrugëve me “revolta popullore”, dhe kërcënimi se do ta lenë mandatin të gjithë të zgjedhurit socialistë ka vec një synim të përgatisë sa më mirë dhe më thellë terrenin  e konfliktit për të dy vitet e ardhshme. Burimi i Pushteti të Ramës vjen prej konfliktit. Ndryshe është e vështirë të kuptohet ajo çfarë tha Edi Rama para dy ditësh “nuk njohim vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Tiranë, dhe nuk do të njohë atë të Kolegjit Zgjedhor, nëse nuk i jepet fitorja Partisë Socialiste”. Ky qëndrim i Ramës për vendimet e drejtësisë do të thotë që ka drejtësi vetëm atëherë kur jepen në favor të tij, në të kundërt, nuk ka drejtësi dhe do të plasi “revolta popullore”. Është një paragjykim primitiv, të thuash se është drejtësi vetëm kur jepen në favor të kauzës personale. Kjo është thjesht absurde. Kjo është njëlloj si të thuash topin e kam unë, bilbilin e kam unë, penalltinë e jap unë, golin e bej po unë dhe fitorja është sigurisht  e imja. Kundërshtari s’më intereson fare. Dhe ky është një nga paradokset më të çuditshme të prodhuar nga kombinati socialist: “nëse drejtësia nuk bën drejtësi, nuk njohim rezultatin”.
Megjithatë institucionet janë vënë në provë sërish, pas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është radhë e Kolegjit Zgjedhor të vendosë mbi votën e qytetarëve të kryeqytetit, që kanë shprehur vullnetit e tyre të lirë dhe të pavarur, pavarësisht se disa vota janë hedhur në kutinë jo të duhur, por jo të pavlefshme. Është brenda logjikës demokratike të lexohen të gjitha votat, pasi pak rëndësi në cilën kuti gjenden, sepse procesi është kompleks.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›