Nano dhe ëndrra e tij presidenciale
Kur të gjithë besonin se ëndrrat e liderit historik të së majtës shqiptare, Fatos Nano, me shtretër presidencialë, ishin kthyer në mit, vetë personazhi duket se vazhdon t’i besojë kësaj përralle. Mbrëmë ai ka vijuar me zgjatimin e këtij fiction-i, duke tentuar edhe njëherë të futet nga vrimat e qeverisë, në godinën e politikës shqiptare dhe jo nga dera nga ku lindi, u rrit dhe doli në pension politik..., jo për fajin e të tjerëve. Ariu i politikës shqiptare, protagonisti i dikurshëm i modelit konfliktual deri në ekstrem dhe më vonë i modelit konsensual deri në dashuri me kundërshtarin e përhershëm, doli nga gjumi letargjik dhe rëndshëm nxori nga milli shpatën e tij të demagogjisë. Për herë të dytë gjatë katër viteve në opozitë ndërpreu vakancat luksoze me shpresën se mos hijena do ta kapë prenë e tij. Ai rinisi lojën e tij të vjetër me KPD-ista dhe katarsista. Por kësaj radhe, jo në forume apo institucione, por në ekrane, aty ku mund të bësh rolin e kapadaiut historik pa pranuar të kontribuosh për të majtën progresiste në opozitë; madje, as për zgjedhësit që japin mandatin e luksit, ku vendin e karriges së Kuvendit e zënë resortet e virgjra turistike apo rezidencat presidenciale nëpër hotele me pesë yje.
Ai doli mbrëmë për të shkundur historinë e vjetër nga arkivat, jo për t’u mallëngjyer me të, por për të vazhduar me zhgjëndrrën; për të vijuar aty ku e la më 3 korrik 2005; ku lideri historik vlerësohet kryesisht nga të huajt të ketë pasur vetëm një meritë: lëshimin e pushtetit pa dhunë...
Ndërsa të tjerat nuk kanë rëndësi: as korrupsioni dhe krimi i organizuar, as monopolet dhe linjat e drogës, as tenderat skandaloze dhe shitjet e pasurisë kombëtare për pesë lekë, as shpërdorimet dhe denigrimet politike. Mbrëmë zoti Nano nuk doli të kërkojë falje për shtetin e kapur nga krimi në vitin 2005, denigrimin e tij, shkatërrimin e shtetit. Ai doli për të mbrojtur shtetin që në 2009-n rend për t’u ortakëzuar me krimin. Ai doli për të sulmuar opozitën se paskësh grabitur dhe zhvatur shqiptarët; dhe jo ata që vazhduan me besnikëri rrugën që e la kryeministri Nano 4 vjet më parë.
Zoti Nano për rreth 120 minuta nuk ngurroi që të pështyjë vëllanë ideologjik, bashkudhëtarin dhe modelin e suksesit të së majtës së dikurshme. Ai ngurroi që të kritikojë vëllanë siamez në pushtet, që dikur i ndanin shpatat dhe sot i lidh modeli, në mos, kordoni i korrupsionit. Nano pretendon se është lideri historik i së majtës. Por çfarë zhgënjimi! Në 120 minuta ai nuk pati as 1% kurajë për të denoncuar aferat skandaloze të kësaj qeverie, që fillojnë me 26 të vrarë në Gërdec, si pasojë e korrupsionit qeveritar, as për futjen nën thundër të shtetit nga familja e kryeministrit, as për abuzimet skandaloze me fondet publike, as për korrupsionin galopant të qeverisë, as për varfërimin e mëtejshëm të shqiptarëve, as për shitjen e pasurive publike në kundërshtim edhe me ligjet më elementare të këtij vendi e plot e plot skandale të tjera. Historia e pushtetit duket se ka vijuar njëtrajtësisht, por vetëm janë ndërruar personazhet; dikur ishte një klan, e sot një tjetër; dikur kishte vetëm para të thata, ndërsa sot, përveç tyre, ka edhe gjak, ka edhe viktima të pafajshme që pjell korrupsioni. Ëndrra të tilla si ato që tregoi mbrëmë zoti Nano nuk trazohen fare nga shpërthimet si ato që ndodhën në Gërdec. Në 120 minuta ai s’gjeti kurajën të thotë asnjë fjalë kritike ndaj qeverisë, a thua se për 120 minuta ai ishte kryetari i Grupit Parlamentarë të PD-së. Zoti Nano, pasi dështoi në përcjelljen e mesazheve për socialistët e vërtetë, e shfaqi veten edhe në rolin e zellshëm të vëzhguesit të zgjedhjeve, a thua se është në përbërje të ODIHR-it. Mbrëmë përfundoi vetëm një pjesë e rrëfimit të ëndrrës së Nanos, i cili duket se nuk e ka problem të gënjehet për të dytën herë nga Berisha se do të bëhet president mjafton të “groposë” në media Edi Ramën. Një pazar ky i padenjë për një lider historik, i cili punon kundër forcës së tij politike.
20 Maj 2009