E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja dorëzon në Kuvend mocionin për debat me Berishën

Partia Socialiste dorëzoi zyrtarisht në Kuvend kërkesën për mocion me debat për Kryeministrin Berisha, duke i bashkangjitur një numër të madh pyetjesh për lidhjet e tij me biznesmenin serbo-boshnjak Damir Fazlliç, i cili u bë i njohur pak ditë më parë kur u arrestua nga policia. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, tha se tanimë grupi parlamentar është në pritje të përgjigjes së Kryesisë së Kuvendit, ndërsa mocioni në fjalë, nëse merret parasysh duhet të zhvillohet brenda 30 ditëve. “Grupi i PS-së ka depozituar sot kërkesën për mocion me debat duke besuar se Kryeministri dhe Kryesia e Kuvendit do ta marrin parasysh këtë kërkesë dhe nuk do të sajojnë “gabime” teknike në miratimin e kërkesës si ka ndodhur herë të tjera, rasti më i fundit ishte ai i Gërdecit”, - tha Leskaj. Pyetjet e dorëzuara dje vërtiten rreth Fazlliçit, lidhjeve të tij me Kryeministrin, me PD-në, si dhe veprimtarisë 3-vjeçare në Shqipëri.

Rregullorja

Neni 98 i Rregullores së Kuvendit parashikon qartë se një kryetar grupi parlamentar ose të paktën 7 deputetë mund të paraqesin një mocion me qëllim zhvillimin e një debati në Kuvend për një çështje të veçantë dhe, në përfundim të tij, mund të propozojnë miratimin e një rezolute ose deklarate, teksti i së cilës i bashkëlidhet kërkesës për zhvillimin e mocionit. Në çdo rast, nuk mund të zhvillohet më vonë 30 ditë nga data e paraqitjes së mocionit. Pas ngjarjes së Gërdecit, PS-ja kërkoi një mocion me debat, por Kryesia e Kuvendit refuzoi zhvillimin e tij duke sqaruar se për të gjitha çështjet që PS-ja kërkonte sqarime, Kryeministri kishte dhënë përgjigje më parë.

Braho: Reforma zgjedhore, kopje 70 dispozitave të kodit të vjetër

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, njëherësh edhe anëtar i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Spartak Braho, vë alarmin se komisioni i kësaj reforme është shumë i vonuar në punën e tij, ndërsa deklaron se deri më tani janë kopjuar rreth 70 dispozita nga kodi i vjetër, duke lënë jashtë diskutimit çështje shumë të rëndësishme. “E themi këtë sepse deri tani ky komision ka kopjuar afro 70 dispozita nga kodi i vjetër elektoral, ndërkohë që çështjet më të rëndësishme që duhet të trajtojë ky komision janë ende të pamarra në shqyrtim. Për këto vonesa u shpreh para disa ditësh edhe ambasadori i BE-së në Shqipëri z. Lohan”, - tha Braho. Ndërkohë, në lidhje me nismën e kësaj partie për votimin e emigrantëve, Braho tha se është e rëndësishme që kësaj pjese të shoqërisë t’i lejohet votimi, ndërsa nuk ka rëndësi se çfarë platformash merren parasysh. Megjithatë, ai bëri të ditur se për momentin është rënë dakord që edhe nëse emigrantët nuk pajisjen me karta identiteti, ata mund të votojnë me pasaportë. Nga ana tjetër, i pyetur për nismën e G99-ës pikërisht për të drejtën e votës së emigrantëve, Braho tha se është e ngjashme me atë të LSI-së, “por, G99-a është e vogël të mbajë në shpatulla këtë problem kaq të madh”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›