E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama largon deputetët nga fushata

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, përjashton deputetët nga organizimi i fushatës elektorale, ndërsa këtë rol ua ka adresuar koordinatorëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile në çdo qark. Shtabi i Përgjithshëm Elektoral zhvilloi dje mbledhjen e parë, fill pas miratimit të strategjisë elektorale në kryesinë e PS-së, mbledhje në të cilën drejtuesit e shtabeve të qarqeve janë njohur me skemën ose përbërjen e shtabeve të çdo qarku. Sipas kësaj skeme, deputetët nuk janë të përfshirë fare, ndërsa rëndësi të veçantë marrin koordinatorët e qarqeve dhe ato elemente që vijnë nga shoqëria civile. Burime nga mbledhja thanë dje për “standard” se në “në shtabet elektorale të qarqeve ose rajoneve do të jenë të përfshirë sekretari rajonal si dhe kujdestari politik që është anëtar i kryesisë”. Njëkohësisht, burimet sqaruan se me rëndësi në përbërjen e shtabit janë një numër koordinatorësh me karakter politik, elektoral etj. Në këtë pjesë përfshihet edhe koordinatori për Gruan dhe për FRESSH-in. Rëndësi i është kushtuar koordinatorit të influencës, emri i të cilit do të vijë nga partia në qendër. Sipas këtij organizimi, është koordinatori i përgjithshëm, ai që do të kontrollojë mbarëvajtjen e punën në shtabin elektoral, dhe më pas do të raportojë në shtabin qendror në Tiranë.

Në bazë të kësaj skeme organizimi, për herë të parë në përgatitjen e procesit zgjedhor, deputetët e humbin forcën e tyre organizative dhe marrin rolin e një anëtari të thjeshtë që, në fund të fundit, i duhet të punojë për interesa të partisë, duke harruar ato personale. Fat më të madh kanë ata deputetë që kanë rolin e sekretarit rajonal dhe përfshihen në organizim, ndërsa pjesa tjetër duhet të jenë në varësi të shtabit dhe urdhrave që vijnë prej tij. Me nisjen e përgatitjeve të fushatës zgjedhore, deputetët aktualë janë përfshirë nga tensioni, jo vetëm nga mesazhet e hapura të kryesocialistit, por edhe nga mesazhet individuale që marrin prej tij, të cilat herë pas here nuk janë shpresëdhënëse për rikandidim. Nga ana tjetër, nga mënyra se si Rama po organizon fushatën, deputetët humbasin çdo rol, nuk kanë asnjë mundësi që të jenë që tani të garantuar se do rikandidojnë, ndërsa përpara interesave personale do vihet politika parimore e partisë, pjesë e së cilës janë. E megjithatë, dy ditë më parë Rama i paralajmëroi qartë, pa dhënë shumë shpjegime. “Mësohuni të jeni deputetë qarqesh dhe jo zonash elektorale”, - është shprehur Rama në mbledhjen e grupit parlamentar. Pavarësisht vullnetit të secilit prej tyre, deputetët duhet të punojnë, deri edhe në qarqe që nuk kanë lidhje me zonën elektorale nga ku kanë marrë mandat, pa qenë të sigurt për të ardhmen e tyre politike. Deri më tani, nuk ka pasur reagime nga ana e ligjvënësve socialistë, kjo, sepse shumë prej tyre shpresojnë që me një sjellje të mirë në Kuvend dhe me përformancë të shkëlqyer në bazë, do të arrijnë që në muajt në vijim të bindin kreun e PS-së që t’i rikandidojë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›