E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrja e Integrimit, në forumin e Crans Montanës në Sarajevë

Sarajevë, 8 tetor 22:28 NOA - Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu ka mbajtur sot një fjalim në forumin e Cransmontanës të zhvilluar në Sarajevë, i cili nisi me diskutime rreth procesit të zgjerimit të BE-së dhe bashkëpunimit rajonal.

Në diskutimet rreth kësaj çështjeje, theksi u vu në të ardhmen e përbashkët të Ballkanit Perendimor në Evropë dhe në faktin që bashkëpunimi rajonal është faktor kyç për të përcjellë një perspektivë të re të ndryshimit të rajonit në rrugën drejt BE-së.

“Ky bashkëpunim, i shprehur në fillimet  e tij në termat e kondicionalitetit me qëllim përafrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet evropiane, me kalimin e kohës, rezultoi si një instrument i fuqishëm dhe i pazëvendësueshëm, jo vetëm për arsyen që ishte krijuar, por në përgjithësi në procesin e integrimit të plotë të këtyre vendeve në Bashkimin Evropian”, - tha ministrja në fjalën e saj të titulluar “Bashkëpunimi Rajonal në kuadrin e Procesit të Stabilizim-Asociimit” .

Më tej, ajo u ndal hollësisht në elementët ligjorë dhe teknikë të këtij procesi si në planin rajonal ashtu dhe në atë të Unionit duke vënë theksin në marrëveshjet e Stabilizim-Asociimit dhe vendin që zë bashkëpunimi rajonal në to si dhe në projektet konkrete rajonale të shprehura nëpërmjet programeve të mëdha komunitare.

Në mënyrë specifike, ministrja Bregu u ndal në rolin e Shqipërisë jo vetëm si faktor i pazëvendësueshëm i stabilitetit dhe paqes në rajon, por edhe si partner i qenësishëm në çdo projekt konkret të këtij bashkëpunimi.

Sa i përket të ardhmes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në Evropë, të pranishmit e vunë theksin tek lufta kundër korrupsionit që do të konsiderohet si kriter i rëndësishëm i këtyre vendeve në ecurinë e procesit të integrimit evropian.

Bregu njohu të pranishmit me rezultatet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, në reformat e tjera të ndërmarra nga qeveria, si dhe në bërjen të mundur të krijimit të ‘track record’ për reforma të pakthyeshme në rrugën drejt BE-së.

***

Paneli i parë i hapjes së forumit të Cransmontanës me temë “Procesi i zgjerimit të BE-së dhe bashkepunimi rajonal - European enlargement process and regional cooperation" u drejtua nga z.Jean Paul Carteron.

Në të, të ftuar specialë përveç ministres së Integrimit të Shqipërisë, ishin: Nikola Spiriç, Kryeministër i Bosnje Hercegovinës; Nedzat Brankovic, Kryeministër i Federatës Bosnje Hercegovinë, Jasna Berkic, Zv. Kryeministër i Republikes Serbe të Bosnjës; Peter Stojanov, ish-Presidenti i Bullgarisë dhe Volker Ruehe, ish Ministër i Mbrojtjes i Gjermanisë.

Të gjithë të ftuarit kanë theksuar rëndësinë e krijimit të një tregu të përbashkët rajonal për të bërë të mundur një tranzicion më të lehtë në tregun e përbashkët evropian.

a.l/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›