E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, kundër ndryshimeve të ligjit për noterinë

Partia Socialiste reagoi dje përmes kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Sigurisë dhe Administratës Publike, Ylli Manjani, lidhur me ndryshimet në ligjin për noterinë. Manjani konsideroi se me këtë nismë qeveria u garanton shqiptarëve dhe veçanërisht investitorëve kaos juridik dhe pasiguri për çdo dokument noterial. “E thënë ndryshe, shqiptarët, pas miratimit të këtij ligji, nuk do ta kenë të sigurt, as pronën, as shtëpinë, e as investimet e tyre. Me aktet noteriale që do të prodhohen nga kioskat noteriale (të cilat qeveria e Sali Berishës i ka për zemër), asgjë nuk është më e sigurt”, - tha Manjani. Ai renditi më tej tri synime të mazhorancës përmes këtyre ndryshimeve, atë që Kryeministri Berisha synon të shkatërrojë përfundimisht autoritetin ligjor të shtetit, të lajë duart nga përgjegjësia juridike e shtetit ndaj qytetarëve, të forcojë pozitat dominuese të zyrës së vetme avokatore pranë Kryeministrit. “Me një projektligj të tillë, PSSH-ja nuk mund të jetë dakord! Ne nuk mund të pranojmë që në emër të liberalizimit të këtij shërbimi, të shkatërrohet siguria e shtetasve me noterë elektoralë. Ne nuk mund të pranojmë që në emër të liberalizimit, të forcohet monopoli i zyrës së vetme avokatore me akses të drejtpërdrejtë tek Kryeministri!”, - deklaroi Manjani.

Rama: Do t’i rikthejmë shkëlqimin Normales së Elbasanit

Kryetari i PS-së, Edi Rama, premton kthimin e shkëlqimit të dikurshëm të Normales së Elbasanit. Duke bashkëbiseduar me mësues dhe pedagogë të qytetit të Elbasanit në turin “Dialog me Shqipërinë për Arsimin”, kryetari socialist, Edi Rama, është shprehur se në arsim duhet të japin kontributin e tyre gjithmonë e më shumë njerëzit më të nderuar, më të respektuar, më të përgatitur, ndryshe ne e kemi humbur luftën me injorancën. “Të mos harrojmë se në Elbasan në vitin 1909, një burrë që quhej Luigj Gurakuqi, themeloi atë që ishte avangarda e luftës me analfabetizmin dhe me injorancën në Shqipëri, Normalen në Elbasan. Normalen e Elbasanit, të cilën ministri i Sali Berishës u përpoq ta mbyllte, pasi gjatë gjithë këtyre viteve ka degraduar dhe është katandisur në një shkollë mes shumë shkollave të tjera të degraduara dhe që në historinë e saj ka si drejtor personalitete, si Ernest Koliqi apo Aleksandër Xhuvani dhe që në radhët e mësuesve të vet apo të atyre që ka përgatitur, numëron shumë njerëz që i kanë bërë nder emrit shqiptar”, - tha Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›