KQZ-ja rrëzon ankesat e partive për minutazhin televiziv
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim lidhur me balancimin e minutazhit kohor në televizionet dhe radiot publike dhe private. Pas shumë debatesh dhe ndërprerjesh të mbledhjes, anëtarët e KQZ-së vendosën të mos marrin parasysh kërkesat e PS-së, PD-së dhe LSI-së, kërkesa këto të cilat lidheshin me balancimin e minutazhit gjatë fushatës elektorale. Edhe për këtë çështje, Bordi i Monitorimit të Medias ishte i ndarë në dy qëndrime, duke dhënë dy tabela të ndryshme përsa i përket minutazhit. Për Bordin vijon të mbetet ngërç ndarja e fushatës elektorale të PD-së nga aktiviteti i kryeministrit dhe i qeverisë, ngërç i cili po mbërthen edhe disa nga anëtarët e KQZ-së. Katër nga 7 anëtarët e Bordit vijojnë të mos i përfshijnë aktivitetet e Berishës në përurime dhe daljet e funksionarëve të Ministrisë së Brendshme për kartat e identitetit në kohën e Partisë Demokratike, ndonëse për tre anëtarët e tjerë, Luarasi, Jupe dhe Meka, këto aktivitete i kanë të gjitha elementet e një fushate të mirëfilltë. Ditën e mërkurë KQZ-ja pritet të shqyrtojë raportin e tretë të Bordit të Monitorimit të Medias, ndonëse për dy të parët KQZ-ja ende nuk ka marrë një vendim.
16 Qershor 2009