E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj: “E turpshme, politikanët e Gërdecit trajtohen si VIP-a, patriotët si kriminelë”



Aktivistë, vullnetarë të rinj dhe mbështetës të G99-s iu bashkuan dje në Gjirokastër protestës në mbështetje të Orgen Hasanbegajt dhe Luan Halilit, të cilët po gjykohen për shkak se organizuan një tubim patriotik në Toc të Tepelenës kundër qëndrimeve antishqiptare të Vasil Bollanos dhe Spiro Kserës. Dje paradite disa qindra shqiptarë protestonin përpara Gjykatës së Gjirokastrës, teksa brenda saj, prokurori i çështjes kërkonte shpalljen fajtorë të dy të rinjve. Erion Veliaj, i cili ka qenë i pranishëm në disa protesta në mbështetje të dy të rinjve, tha se ka ardhur dita për një zgjim të dinjitetit shqiptar. “Sot lajmi i mirë nga kjo protestë është se pavarësisht se këta djem po përndiqen padrejtësisht nga politika e Berishës dhe e Bollanos, qytetarët janë organizuar në këtë rikthim të dinjitetit të Shqipërisë dhe rizgjim të ndjenjës kombëtare”, - tha më tej Veliaj. Sipas tij, “mbrojtja që po i bëhet Bollanos e Bollanove të tjerë është një turp për qeverinë”. Procesi gjyqësor ndaj dy të rinjve tepelenas u zhvillua dje, në të njëjtën ditë kur politikanë si Fatmir Mediu u shpallën të pandehur nga Prokuroria për çështjen e Gërdecit. “Është e turpshme që politikanët e Gërdecit në Tiranë trajtohen si VIP-a, ndërsa dy të rinj patriotë trajtohen si të ishin kriminelë”, - tha drejtuesi i G99-s, Erion Veliaj. Protesta u përshëndet dhe nga aktivisti social Arbër Cepani si dhe aktori Gazmend Paja. Trupi gjykues njoftoi se vendimi përfundimtar i gjykatës do të shpallet në datën 16 shkurt.

12 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›