E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja pastron regjistrin nga anëtarët që “tradhtuan”, ikin 4 mijë



Partia Socialiste po ribën nga fillimi listat e anëtarësisë së saj, duke hequr emrat e atyre që kanë vendosur të shkojnë në parti të tjera të majta ose të heqin dorë nga anëtarësimi në PS. Nga ky proces janë fshirë emrat e 4 mijë anëtarëve që figuronin në regjistrin e kësaj partie. Largimin e një numri kaq të madh anëtarësh sekretari organizativ i PS-së, Blendi Klosi, e paraqiti dje para Asamblesë së partisë si pastrim listash nga emrat fiktivë, duke mos pranuar që kjo ka të bëjë me rrjedhje nga anëtarësia. Ndërkohë, ai tentoi të bënte optimist këtë forum, duke dhënë shifra për anëtarësime të reja në të gjitha rrethet. “Nën kujdesin dhe monitorimin e të deleguarve të Asamblesë Kombëtare, nuk është lejuar zhvillimi i mbledhjeve fiktive dhe është bërë verifikimi i anëtarësisë së partisë dhe heqja nga listat të anëtarësisë fiktive. Kështu, rezulton se pas këtij procesi, efektivi i PS-së është afro 4 mijë anëtarë më pak se fundi i vitit 2007”, - ka bërë të ditur Klosi. Sipas tij, ky fenomen është vënë më shumë re kryesisht në Vlorë, ku nga listat e anëtarësisë u hoqën më shumë se 600 persona, por për baraspeshë po në këtë qytet lista u shtua me 530 anëtarë të rinj. Nga mbledhjet e organizatave të partisë dhe fushata e anëtarësimeve të reja, sipas raportit të punës së sekretariatit për organizimin, u bë e mundur që të realizohen dhe 3 mijë anëtarësime të reja, nga të cilat 30 për qind e tyre janë femra dhe 70 për qind janë të rinj në moshë. Një problem tjetër që ka ngritur shqetësim në organet drejtuese të PS-së ka qenë dhe arsimimi i drejtuesve lokalë. Por sipas raportit të fundit, ka pasur përmirësime të ndjeshme për sa i përket nivelit arsimor të kryetarëve të organizatave socialiste. Sipas raportit, rezulton se për Tiranën, 85 për qind e tyre janë me arsim të lartë, ndërsa në bashkitë Durrës, Elbasan dhe Korçë, kjo shifër qëndron në nivelin 70 për qind. Por ky problem vazhdon të ekzistojë në organizatat socialiste në zonat rurale, pasi nëpër komuna kryetarët me arsim të lartë përbëjnë vetëm 15 deri në 25 për qind të tyre. Pjesa tjetër është pa arsim të lartë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›