E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja riformulon listën e komisionerëve duke respektuar koutën 30% për gratë



Partia Socialiste do të ndryshojë listën e përfaqësuesve të saj në komisionet zonale të administrimit të zgjedhjeve, të cilën e depozitoi tri ditë më parë në KQZ. Ky i fundit kërkoi nga selia rozë që të ndryshojë listën e komisionerëve të saj, pasi në listën e depozituar ishte shkelur ligji dhe nuk ishte respektuar detyrimi që paraqet Kodi i ri Zgjedhor, sipas të cilit, në KZAZ-të 30% të përfaqësuesve të partive politike duhet të jenë gra. KQZ-ja i ka vendosur afat Partisë Socialiste deri ditën e premte që të depozitojë listën e re. Lajmi u bë i ditur nga sekretari për Çështjet zgjedhore në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri. “Brenda afatit që na është vendosur do të depozitojmë listën e re, në të cilën 30% e përfaqësuesve tanë në KZAZ-të do të jenë gra. Do të depozitojmë listën e re në KQZ brenda këtyre dy-tri ditëve”, - tha ai. Lista paraprake që depozitoi PS-ja u bë shkak i debateve dje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Përfaqësuesi politik i PD-së në KQZ, Njiazi Kosovrasti, tha se PS-ja shkeli hapur ligjin dhe kërkoi marrjen e sanksioneve ndaj saj. “PS-ja ka shkelur Nenin 29, pika “ç” të ligjit për zgjedhje. PD-ja e respektoi këtë pikë, ndërsa PS-ja e shkeli dhe për këtë arsye duhet të merren sanksione ndaj saj”, - u shpreh ai. Ndërkohë reagimi i përfaqësuesit politik të PS-së, Genci Gjoncaj, ishte se PS-ja është e angazhuar plotësisht për të dorëzuar listën e re brenda afatit.

2 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›