Karoatrecët si “peshkaqenët”, nga mjete shërbimi në grabitës të makinave në kryeqytet
Karoatrecët nga automjete shërbimi në dispozicion të Policisë Rrugore, janë kthyer tashmë në një makth të vërtetë për shoferët në Tiranë. Në se çdo kujt që parkon dashur pa dashur në kryeqytet makinën në një vend të gabuar mund ti ndodhë që mjeti ti merret me karoatrec (rimorkiator makinash), duhet të ketë në dispozicion shumë kohë, durim dhe shumë para me vete. Kjo vetëm si fillim. Pasi nëse drejtuesi i mjetit ka gjoba të papaguara apo nuk ka dokumentet e makinës në rregull, mund ti ndodhë që ta lërë automjetin edhe peng. Kjo gjë ka nisur të bëhet e shpeshtë në kryeqytet, ku policët të cilët bëjnë shërbimin si efektivë të Policisë Rrugore janë lidhur ngushtë me pronarët e kompanive të karoatrecëve. Për çdo raportim dhe thirrje të mjetit karoatrec për të zhvendosur një autoveturë nga parkimi i gabuar, ata marrin jo pak por 1 mijë lekë. Kaq i shpeshtë është bërë ky fenomen në Tiranë, sa që në qendër të kryeqytetit duhet të matesh mirë kur del me makinë, e për më tepër kur e parkon. Karoatrecët janë kthyer tashmë në “peshkaqenë” që gjuajnë automjetet të cilat, edhe për pak çaste nëse parkohen keq, ngrihen “zgupthi” dhe pa adresë syrgjynosen në një parkim të fshehtë në unazën e re të Tiranës. Por ky është vetëm fillimi i një kaluari të gjatë dhe të stërmundimshëm për drejtuesin e mjetit. Me vete duhet të kesh të paktën deti në 7 mijë lekë (në se arin ta marrësh makinën brenda një dite), fotokopje të dokumenteve të automjetit, dokument identifikues, si dhe nuk duhet të kesh gjoba të papaguara. Kur automjeti të merret me karoatrec, përveç gjobës që të vendos polici që varion nga 1 -3 mijë lekë vetëm për “parkim të gabuar”, duhet të paguash edhe shërbimin e grabitjes me karoatrec që kushton 4 mijë lekë, si dhe vendparkimin në parkun e mjeteve të sekuestruara që është 5 qind lekë dita. Por edhe pse një shofer mund ta marrë mjetin e tij brenda ditës, në rastin më të mirë ai duhet të paguajë nga 5 mijë lekë që ishte dikur, 7 mijë lekë aktualisht. Por si të mos mjaftojë gjithë ky taksirat, shoferëve u duhet të bëjnë edhe disa vajtje- ardhje nga Kinostudio ku janë zyrat e Policisë Rrugore të Tiranës, në zonën e unazës së re në afërsi të Kombinatit. Kjo pasi parkimi i karoatrecit të kërkon një vërtetim i cili duhet të konfirmojë nëse automjeti nuk ka gjoba të papaguara dhe që mund të merret në asnjë vend tjetër veç se në zyrat e Policisë Rrugore në Kinostudio. Përveç kësaj u duhet bërë dhe një fotokopje të gjitha dokumenteve të automjetit, (procedurë e re e kërkuar nga policia), që më pas të shkohet për të marrë automjetin e sekuestruar.
4 Mars 2010