E Shtunë, 31 Tetor 2026

“PS-ja bëri autogol, Edi Rama kërkon të mbajë peng stabilitetin dhe të ardhmen e Shqipërisë”

Projektligjet e depozituara në Kuvend, reagojnë juristët e PS

Autogol politike e konsideron anëtari i Asamblesë socialiste Ylli Manjani draftin e depozituar nga selia rozë për hapjen e kutive dhe kjo pas 6 muaj që kryesocialisti kishte këmbëngulur se këtë kërkesë e kishte të bazuar në ligj. “Projektligji për mua kishte dy probleme; politikisht është një autogol i mirëfilltë që PS bën në raport me kërkesën e saj për hapjen e kutive që ka bërë këto 6 muaj. Pra, me këtë projektligj PS po u thotë shqiptarëve që kërkesa për hapjen e kutive dhe hetimin e zgjedhjeve e paska pas të pambështetur në ligj. Kjo është arsyeja që u dashka bërë një ligj i ri. Theksova se politikisht ky është një autogol i paparashikuar për Partinë Socialiste”, u shpreh juristi Ylli Manjani.
Ai shton se drafti që është depozituar në Kuvend, nuk është konsultuar me forumet e partisë, krijon destabilitet nëse do të hyjë në fuqi siç kërkojnë socialistët.
“është një precedent i rrezikshëm për shtetin ligjor dhe demokracinë sepse sipas këtij projektligji, sipas idesë që ka Edi Rama dhe grupi i tij i ngushtë në drejtimin e Partisë Socialiste, proceset zgjedhore nuk duhen mbyllur asnjëherë. I bie që proceset zgjedhore të mos mbyllen pafundësisht dhe të hapen dhe të zgjaten pafundësisht. Pra, edhe kur i mbyll KQZ-ja, i hap parlamenti dhe kjo është një projektligj që nuk krijon aspak ndjenjën e stabilitetit, as ndjesinë e sundimit të ligjit në këtë vend, por mban peng demokracinë, mban peng stabilitetin, mban peng qeverisjen dhe mban peng të gjithë shqiptarët”, deklaroi më tej, juristi socialist Ylli Manjani.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›