E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosjet, Bumçi: Kontestimet s’kanë më vlerë



I sapomiratuar në Kuvend, por ende pa hyri në fuqi, ligji i hapjes së dosjeve vazhdon të krijojë një pështjellim tjetër politik dhe ndërinstitucional për sa i përket kushtetutshmërisë së tij. Në një kohë kur opozita dhe disa përfaqësi diplomatike sugjerojnë rishikimin e ligjit, demokratët kanë argumentet e tyre mbrojtëse, duke pohuar se ligji është krejtësisht mbi baza ligjore. Sipas PD-së, tashmë ligji është miratuar dhe kundërshtitë nuk kanë më vlerë. Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, bëri dje të ditur se Kuvendi u ka ofruar grupeve të interesit mundësinë të ndërhyjnë në draft para se ai të votohej. Sipas tij, Komiteti i Helsinkit refuzoi të merrte pjesë në seancën dëgjimore në Komisionin e Ligjeve. "Gjithë kjo histori është zhvilluar para syve të opinionit publik, qëndrimet tona kanë qenë shumë të qarta, bëmë dhe seanca dëgjimore me grupet e interesit, që ishin Shoqata e të Përndjekurve Politikë, grupi i të drejtave të njeriut, Qendra për Rehabilitimin e Traumës dhe Torturës. Ka qenë dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, me sa mbaj mend, që nuk ka marrë pjesë në seancën dëgjimore, por të paktën Kuvendi, në këtë rast Komisioni i Ligjeve, e ftoi të ishte në seancën dëgjimore ku do të merreshin parasysh dhe mendimet e tyre", - tha Aldo Bumçi. Bumçi pranoi se ndonëse ligji ka hyrë në fuqi, ende nuk ka nisur puna për ngritjen e autoritetit të verifikimit të figurës, organi që do të hetojë të kaluarën e zyrtarëve të administratës. Por, përballë refuzimit të socialistëve për të qenë pjesë e tij, anëtarët do të përzgjidhen nga shoqata që kanë të bëjnë me ish-të përndjekurit. "Shoqata të shoqërisë civile, që në aktivitetin e tyre prekin çështje që lidhen me të drejtat e njeriut, me çështjen e të përndjekurve politike, me rehabilitimin e tyre. Pra, e gjithë kjo është një gamë e gjerë kështu që mund të propozojnë kandidatura. Nuk ka hapa konkretë me sa jam në dijeni", - theksoi z. Bumçi.

Po dje, Ligji i Pastërtisë së Figurës së Zyrtarëve të Lartë bëri që të ankohet në Kushtetuese edhe Shoqata e Prokurorëve, e cila ankimoi në këtë gjykatë 6 nene të këtij ligji si të papajtueshëm me Kushtetutën. Shoqata e Prokurorëve është përqendruar në ankesën e saj vetëm tek nenet që bëjnë fjalë për prokurorinë. Po për ligjin e dosjeve reagoi dje edhe ambasadori i Danimarkës në Tiranë, Karsten Jensen, i cili u pozicionua kundër tij. “Mendoj se Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur. Por, fatkeqësisht, së fundmi, kemi parë atë që do ta quaja hap prapa, para së gjithash me Ligjin e Lustracionit. Çdokush në komunitetin ndërkombëtar e kupton se është e nevojshme një ndarje me të kaluarën. Kjo është një gjë shumë e mirë. Por një gabim nuk mund të kurohet duke bërë një gabim tjetër”, - u shpreh z. Jensen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›