Qeveria, komision për regjistrimin e banesave dhe popullsisë
Shqipëria do të ketë brenda vitit 2011 një regjistër të plotë ku do të përmbajë të regjistruar të gjitha detajet e shoqërisë. Në Kuvend ka mbërritur një ndryshim ligjor në ligjin për regjistrimin e popullsisë, i cili parashikon ngritjen e Komisionit Qendror të Regjistrimit. Ky komision, i cili do të drejtohet nga zëvendësministri i Brendshëm, do të bëjë të mundur plotësimin e të dhënave në mënyrë të plotë. Aktualisht, Shqipëria ka një regjistër kombëtar të plotë të shtetasve. Projekti i plotë i regjistrimit të popullsisë do të realizojë një punë në terren ku do të regjistrojë të dhënat e të gjithë shtetasve shqiptarë si dhe do të regjistrojë banesat e tyre. Aktualisht, me fotografimin ajror, çdo ndërtesë do të ketë një numër identifikimi. Ky numër është pjesë e sistemit të adresave i cili tashmë është duke përfunduar. Procesi do të ecë paralel me legalizimin e objekteve pa leje, njëkohësisht edhe me zgjidhjen e çështjes së pronësisë. Rezultati përfundimtar do të jetë një regjistër me të dhëna të pagabueshme.
Projekti
Ky projekt konsiderohet tepër i rëndësishëm për vendin, si për zhvillimin ekonomik, ashtu edhe për planet e zhvillimit. INSTAT-i ka nisur tashmë përgatitjet për këtë projekt që pritet të mbyllet brena vitit 2011 dhe të dhënat do të jenë të cilësi të njëjtë me vendet e BE-së. Ky projekt pritet të mbyllë përfundimisht problemin e regjistrimit të popullsisë në Shqipëri. Ai do të përcaktojë saktë se sa banorë jetojnë në Shqipëri, ku jetojnë, sa kanë emigruar, moshën e shqiptarëve, numrin e emigrantëve e shumë të dhëna të tjera. Tashmë pritet që qeveria të emërojë anëtarët e Komisionit Qendror të Regjistrimit, i cili do të ketë kompetenca të zgjeruara, duke i njohur të drejtën e rekomandimeve për plotësimin e kuadrit ligjor, miratimin e kalendarit të veprimtarisë së regjistrimit, pyetësorit të anketimit si dhe përcaktimin e detyrave për të gjitha institucionet. Ky regjistrim do të bëjë të mundur që të përcaktohen karakteristika individuale të dobishme për shpjegimin e variablave në analizën e sjelljes së popullsisë në aktivitetet ekonomike. Ndërmjet variblave individuale janë përfshirë ato të gjinisë, moshës, statusit civil dhe arsimit. Njëkohësisht, edhe çështje që zbulojnë madhësinë e familjes dhe përbërjen, karakteristikat e banesës dhe kushtet, mundësitë dhe shërbimet e familjes. Objektivat specifikë të këtij studimi do të jenë të përshkruajë gjendjen e fuqisë punëtore, punësimin dhe papunësinë në vend, në rrethe, zonat urbane e rurale dhe Tiranë; të përshkruajë tendencat dhe ndryshimet e ndodhura në vijim të ndryshimit ekonomik e politik. Njëkohësisht, të studiojë faktorët demografikë e social-ekonomikë, që ndikojnë në pjesëmarrjen e popullsisë në fuqinë punëtore, si edhe ata që kontribuojnë në nivelin e lartë të papunësisë si dhe të nxjerrë konkluzione nga përvoja e kaluar dhe aktuale për të bërë rekomandime mbi programe që nxisin krijimin e vendeve të punës në vend.
Në letërnjoftim, adresa e personit
Në letërnjoftimet e reja do të shënohet edhe adresa e çdo qytetari. Një fakt të tillë e ka konfirmuar edhe zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, i cili ka thënë se me sistemin e ri të adresave do të bëhet e mundur që çdo objekt të ketë një numër identifikimi. “Si rezultat i fotografimit ajror, ne kemi mundësi të njohim çdo objekt. Madje pushteti lokal është i angazhuar që t’u vendosë emra rrugëve, pasi vetëm në Tiranë kanë dalë dhjetëra rrugë pa emra”, - është shprehur z. Poni. Në letërnjoftimin e ri do të shënohet një numër identifikimi për shtëpitë, objektet, njëkohësisht edhe për apartamentet. Kjo do të shërbejë edhe për sistemin postar, çka do të ndihmojë edhe në përmirësimin e këtij shërbimi. Tashmë ka nisur edhe aplikimi për letërnjoftimet e reja. Të dhënat gjenerohen direkt nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile; operatori, qytetari dhe nëpunësi i gjendjes civile i kontrollojnë ato dhe nëse i gjejnë në rregull, e printojnë formularin e aplikimit që firmoset nga të tre personat: qytetari, nëpunësi i gjendjes civile dhe operatori i regjistrimit. Punonjësi do t’i marrë shenjat e gishtave qytetarit, i cili do të dalë në fotografi dhe do të japë edhe nënshkrimin elektronik. Sipas zëvendësministrit të Brendshëm, Ferdinand Poni, procesi i aplikimit për një person nuk zgjat më shumë se 5 minuta, që nga paraqitja e kuponit, verifikimi i identitetit nëpërmjet regjistrit elektronik të Gjendjes Civile, marrja e shenjave të 10 gishtave, fotografisë dhe firmës elektronike. Pas kryerjes së këtyre procedurave, qytetari duhet të kthehet pas dy javësh për të marrë letërnjoftimin e tij, në vendin që ka aplikuar, pasi dokumenti aktivizohet dhe funksionon vetëm me shenjat e gishtave të personit që i përket.
Problematika e një regjistri të plotë
Në Shqipëri ka pasur disa regjistrime kombëtare të popullsisë dhe banesave. I pari ka ndodhur në vitin 1989 dhe i dyti në vitet 2001-2002, por asnjëri nuk i ka zgjidhur këto probleme përfundimisht, kjo edhe për arsyet dhe problematikat që ka sjellë tranzicioni në këto vite. Pas viteve ’90, në Shqipëri nuk ka pasur një numër të saktë të qytetarëve, ndërkohë që para Luftës së Dytë Botërore, regjistrimi i të dhënave të popullsisë ishte i plotë. Saktësi ka pasur edhe gjatë periudhës së pushtimit osman. Tashmë pritet që më projektin aktual, të përfundojë ky problem dhe në vitin 2011, vendi të ketë një bazë të plotë të dhënash me të gjitha të dhënat e nevojshme. Regjistrimi i popullsisë dhe banesave të vitit 2002 së bashku me Studimin për Matjen e Standardit të Jetesës, kanë nxjerrë të dhëna mbi fuqinë punëtore në shkallë kombëtare, rajonale dhe nivel më të ulët administrativ, si edhe zonat urbane e rurale. Ky studim bazohej kryesisht mbi rezultatet e Regjistrimit të Popullsisë dhe Banesave të vitit 2001, i cili ia kushtonte më shumë se gjysmën e pyetësorit të tij kushteve të punës së njerëzve nga 15 vjeç e lart, si edhe aspekteve të ndryshme të aktivitetit të tyre ekonomik.