E Diel, 1 Nëntor 2026

PS letër kreut të KQZ-së: “Hiqni dorë nga vendimet politike”

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste nëpërmjet një letre të hapur drejtuar kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe për dijeni Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR, Prezencës së OSBE, Tiranë dhe ambasadës së SHBA, Tiranë kritikon punën e KQZ-së. “Në cilësinë e kryetarit të KQZ-së ju keni pjesën tuaj të përgjegjësisë direkte për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Republikën e Shqipërisë dhe se çdo veprim i kundërt me zbatimin e ligjit gjatë ushtrimit të funksionit tuaj publik, ju ngarkon juve personalisht jo vetëm me përgjegjësi morale, jo vetëm me përgjegjësi institucionale, por të jeni të sigurt se në çdo rast kur veprimet apo mosveprimet tuaja do të cenojnë zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, do të merrni mbi vete edhe përgjegjësi penale. Ju personalisht keni arsye dhe përvojë ta kuptoni mirë se shkelja e përsëritur e ligjit është më rëndë e ndëshkueshme”, - shkruan sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj. Sipas tij, KQZ gjatë këtyre ditëve ka qenë nën diktatin dhe urdhrin tërësisht partiak. Sipas Xhafajt, veprimet arbitrare të KQZ-së kanë qenë për qendrat private të votimit si dhe për prodhimin e fletëve të votimit mbi bazën e të dhënave të Ministrisë së Brendshme dhe jo KZAZ-së. “Kjo situatë e krijuar prej jush personalisht, zoti Kryetar i KQZ-së, po ndikon negativisht në ecurinë e pritshme të zhvillimit të votimit më 28 qershor 2009 , - shton Xhafaj duke pohuar se për të gjitha këto probleme Ristani mban përgjegjësi personale. Ai shtoi se PS nuk do të lejojë cenimin e votës. Prandaj kërkon të hiqet dorë nga veprimet e paligjshme, të ndikuara dukshëm nga orekse politike të mazhorancës në ikje.
Ky lajm është publikuar: 27/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›