E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Votoni pa frikë për PS-në”

Autori i Lajmit: red.
Elbasani dhe Cërriku kanë qenë takimet e fundit të Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 28 Qershorit. Në një atmosferë festive kreu i socialistëve përcolli ashtu si në të gjithë Shqipërinë mesazhin e bashkimit dhe ndryshimit. Ai u angazhua për rritjen e punësimit dhe zhdukjen e varfërisë, duke ndërtuar, siç tha Rama, shtetin e të gjithëve, që u jep qytetarëve të tij dinjitetin e qytetarit evropian, pavarësisht ku jetojnë në Tiranë apo Cërrik. “Ne jemi të përgatitur ta mbrojmë votën dhe jemi të përgatitur ta mbrojmë dhe numërojmë atë më mirë se dy vjet më parë në Tiranë”, - u shpreh Rama. Në një takim masiv në qytetin e Elbasanit, kryetari i socialistëve u angazhua për ndryshimin e realitetit dëshpërues siç tha ai, atë të dy Shqipërive. Rama u angazhua për ndërtimin e një Shqipërie që ecën me hapa të qëndrueshëm të zhvillimit ekonomik dhe të një shteti ku administrata nuk dhunohet, një shtet ku mjeku dhe polici argumentoi ai të mos përdoren nga qeveria e radhës. Kryetari i PS-së, u bëri thirrje nga Elbasani të gjithë nëpunësve të shtetit të votojnë pa frikë Partinë Socialiste, sepse siç tha ai, askush nuk do t i largojë nga puna.

Ky lajm është publikuar: 27/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›