Patozi: Opozita, mjaft me kushte absurde
Demokratët e quajnë absurd kushtin e PS-së për të ngritur një komision hetimor për 28 qershorin e si rrjedhojë rihapjen e kutive numëruara të votimit. Astrit Patozi, kryetari i grupit kuvendor të PD-së, argumenton kushtin kryesor të PS-së për t’u rikthyer në Parlament, si një alibi, thjesht të Edi Ramës.
PD-ja i bën thirrje opozitës së majtë që të tërhiqet nga kontestimet dhe kushtet absurde dhe të pranojë verdiktin e shqiptarëve të 28 qershorit. Demokratët, ndonëse janë të bindur se opozita shumë shpejt do të kuptojë absurditetin e kushteve të vëna për hetim të zgjedhjeve, i kërkojnë të heqë dorë nga presioni dhe vënia e kushteve dhe të hyjë në Parlament për të zhvilluar pikërisht aty debatin politik. Demokratët e quajnë absurd kushtin e PS-së për të ngritur një komision hetimor për 28 qershorin e si rrjedhojë rihapjen e kutive numëruara të votimit. Astrit Patozi, kryetari i grupit kuvendor të PD-së, argumenton kushtin kryesor të PS-së për t’u rikthyer në Parlament, si një alibi, thjesht të Edi Ramës. “Na kërkuat të hapen kutitë, që është njëri nga kushtet, por unë mund të them se Sali Berisha, PD dhe askush tjetër, as i hap dhe as i mbyll kutitë. Kutitë i hapin, i mbyllin, votat i numërojnë institucionet dhe institucionet kanë folur. Për sa kohë institucionet kanë folur, ne të tjerët duhet të heshtim”, - theksoi z. Patozi. Kreu i deputetëve të PD-së i quan absurde të gjitha kërkesat e kryetarit në detyrë të socialistëve, të cilat, sipas tij, përveçse për të justifikuar humbjen dhe rikonfirmuar Ramën në krye të kësaj partie, nuk kanë asnjë qëllim tjetër. “Për fat të keq, Edi Rama ka bindur veten dhe po kërkon të bindë dhe të tjerët për të vendosur një rregull të kundërt, i cili sigurisht është qesharak, sepse i bie që ekipi që humbet ndeshjen, rikonfirmohet edhe për ndeshjen e radhës”, - deklaroi z. Astrit Patozi. Ai shtoi se të ashtuquajturat kushte nuk janë kushte për mazhorancën, por thjesht dhe vetëm që të rimandatohet kryetari i PS-së dhe që ai të fitojë debatin e brendshëm në partinë e tij. “Kushtet, - vijoi Patozi, - janë absurde dhe këtu kam parasysh të gjitha ato në tërësinë e tyre. Pra, ato nuk janë kushte, por janë pretekste për të justifikuar bojkotin, për të justifikuar humbjen. Janë alibi për humbjen”, - u shpreh kreu i deputetëve të PD-së. Z. Patozi shprehu besimin se pavarësisht situatës aktuale, PS do të rikthehet në Parlament në respekt të elektoratit të saj. Në këtë mënyrë, ai përsëriti qëndrimin e KE-së se debatet politike bëhen në Kuvend dhe jo jashtë tij. “Unë besoj që nuk ka më debat mes mazhorancës dhe opozitës për zgjedhjet, sepse ky është një debat që është mbyllur njëherë e përgjithmonë në 28 qershor, debat të cilin ne e kemi fituar dhe ata e kanë humbur. Është fare e qartë që ka një debat të brendshëm në Partinë Socialiste për mënyrën se si kjo parti humbi dhe për mënyrën se si kjo parti nuk arriti rezultatet që priste në zgjedhjet e 28 qershorit”, - deklaroi z. Patozi. PS-ja nuk është paraqitur në Parlament në dy seancat e saj të para, për shkak të kërkesave ndaj qeverisë. Për kreun e socialistëve, bojkoti i Kuvendit do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave, si hapja e kutive të votimit dhe hetimi i procesit zgjedhor në mënyrë të pavarur.